Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka vlerësuar lartë kontributin e Forcave të Armatosura të Maqedonisë së Veriut në kuadër të KFOR-it dhe misionet tjera në kuadër të NATO-s. Ai këto deklarata i bëri gjatë takimit me shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovsk.
“Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin e deritashëm ushtarak mes dy forcave, me besimin se do të thellohet edhe më tej edhe në të ardhmen.” thuhej në njoftimin për media të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas takimit me ministrin Mehaj, gjenerallejtënant Gjurchinovski u prit edhe në zyrën e komandantit të FSK-së, gjeneral Ramës, ku pas takimit kokë më kokë ata diskutuan edhe nivel të dy delegacioneve.
“Gjatë këtyre takimeve u vlerësua lart bashkëpunimi ushtarak ndërmjet forcave të të dy vendeve duke diskutuar për konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral. Me theks të veçantë u diskutua nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe stërvitjes të dy forcave.”
Tutje bëhet e ditur se gjenerali dhe delegacioni i tij vizituan kazermën e FSK-së në Pomozatin. Kjo vizitë u realizua në kuadër të planit të bashkëpunimit ushtarak, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit në mes ministrive të mbrojtjes së dy vendeve.