Kosova ka vendosur sot masa mbrojtëse antidumping ndaj disa kompanive serbe, të cilat bëjnë importin e koncentratit për shpezë dhe kafshë, si dhe importin e bllokave.
Masa mbrojtëse e përkohshme antidumping prej 3 centë, është vendosur për këto kompani: FSH “Jabuka” doo Pancevo, “Gebi” doo, FSH “Sto Posto” dhe FSH “Becejka”.
Këto vendime thuhet se janë marrë pas kërkesës së prodhuesve vendorë.
“Pas kërkesës së prodhuesve vendor dhe propozimit të Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, Departamenti i Tregtisë ka filluar hetimin e importit nga Serbia dhe të shitjes në tregun e Republikës së Kosovës të koncentratit për shpezë dhe kafshë. Hetimi është kryer në përputhje me Ligjin për masat antidumping dhe masat kundërbalancuese”, thuhet në arsyetimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se kanë marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj produkteve të caktuara të importuara nga Serbia.
Hajdari ka treguar se vendimet kanë të bëjnë me importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve, derisa tjetri për njësitë e bllokut ndërtimor.
“Sot më 8 tetor, kemi marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj produkteve të caktuara të importuara nga Serbia. Njëri vendim cakton masën antidamping prej 3 centë për kilogramë në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve nga Serbia. Vendimi tjetër cakton masë antidamping prej 3 centë për njësitë e bllokut ndërtimor me origjinë nga Serbia”.
Sipas saj, dy vendimet janë marrë në përputhje me Ligjin për masat antidamping.
“Vendimeve u kanë paraprirë hetimet e ndara dhe analizat e mirëfillta të departamentit të tregtisë i cili ka vepruar sipas kërkesave të prodhuesit vendor. Fillimi i hetimeve është mbështetur veçanërisht në propozimin e komisionit për vlerësimin e detyrimeve të veçanta në importe. Hetimet kanë konfirmuar se produktet në fjalë shiten me çmim më të ulët në tregun e Republikës së Kosovë sesa më tregun e brendshëm të Serbisë si vend i origjinës”, ka thënë Hajdari.
Për këto dy vendime ka folur edhe Drejtori i Departamentit të Tregtisë, Zef Dedaj.
Sipas tij, këto vendime do të kenë efekt në uljen e importit nga Serbia.
Fakti që sot e kemi një mase në 3 centë dhe jo 2 centë bazohet në statistika. Mund të ketë hapësirë edhe për 4, meqë ka hapësirë për ndryshim kemi shkuar në 3. Kjo do të ketë efekt për uljen e importit nga Serbia. Nuk do ta afektojë konsumatorin. Pas 6 muajve nëse ka nevojë për 4 centë do të bëhet. Kjo e cila vazhdohet si e përkohshme për 6 muaj, vazhdohet pastaj për 6 muaj”, ka thënë ai.