Kina është e shqetësuar nga incidenti i fundit me nëndetësen bërthamore amerikane në rajonin e Azi-Paqësorit.
Incidenti u raportua të enjten nga Flota Amerikane në Paqësor, e cila bëri të ditur se nëndetësja e saj “USS Connecticut” goditi një objekt të panjohur në ujërat ndërkombëtare.
Ngjarja mësohet se ndodhi më 2 tetor dhe la të plagosur lehtë disa marinarë.
Ajo vjen në kohën kur Pekini dhe Tajvani kanë acaruar raportet; Australia, SHBA-ja dhe Britania kanë shpallur planin për bashkëpunim në fushën e sigurisë në Indo-Paqësor dhe aleatët e SHBA-së po zhvillojnë stërvitje të gjerë ushtarake afër Detit Lindor të Filipineve.
“Tajvani nuk kërkon përballje ushtarake. Ne shpresojmë për bashkëjetesën në paqe, të qëndrueshme me fqinjët, por edhe do të bëjmë ç’kërkohet për të mbrojtur jetesën në liri dhe demokraci,” tha presidentja tajvaneze, Cai Ing-Ven, gjatë një forumi me ish-kryeministrin australian, Toni Ebot.
“Pekini e ndjen se fuqia e vet relative gati ka arritur kulmin, popullsia po i plaket, ekonomia po i ngadalësohet dhe financat po i dobësohen, ndaj edhe mund të shpërthejë rrezikshëm. Sfida jonë do të jetë që të pamendueshmen ta bëjmë të parealizueshme.”
Nëndetësja bërthamore amerikane që u përfshi në incident po lundronte në një rajon me rrezik të shtuar siç është Deti i Kinës Jugore, të cilin Kina pretendon se i takon asaj në tërësi.