Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur rreth temës më kryesore gjatë këtyre ditëve, e që ka të bëjë me tubacionin e gazit nga Greqia, ku është përfshirë edhe ShBA. Rizvanolli është përgjigjur edhe ndaj akuzave e kritikave të opozitës se po dështojnë në një projekt strategjik me partnerët e Kosovës.
Ajo ka deklaruar se fondet e ndara nga Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nuk kanë qenë të dizajnuara për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.
Rizvanolli ka sqaruar se mundësitë e ndërtimit të këtij projekti ende ekzistojnë.
“Projekti nuk është dizajnuar për infrastrukturë të gazit, fondet për programin e MCC-së janë alokuar deri në 200 milionë dollarë dhe janë dedikuar për sektorin e energjisë dhe duke qenë se në një studim të vitit 2016 nga vet MCC dhe Qeveria e Kosovës ka dal se energjia përbën një problem dhe një sfidë për zhvillimin e sektorit privat në vend”, ka thënë Rizvanolli në intervistë.
“Rrjedhimisht është përzgjedhur energjia së bashku me qeveritë e kaluara, ku në fakt ky është një proces që udhëhiqet nga vet qeveritë e vendit. Në të kaluarën e kanë udhëhequr procesin e dizajnimit së bashku me MCC-në dhe janë fokusuar në disa opsione dhe njëra prej të cilave ka qenë infrastruktura e gazit”, sqaron Rizvanolli.
Sipas saj, fondet e njëjta të ndara nga MCC-ja do të investohen në projekte tjera të energjisë.
“Ajo që ne kemi vendosur si Qeveri është që të mos vazhdojmë me atë projekt si ka qenë i dizajnuar, mirëpo fondet e njëjta të ndara për programin e ndarë për Kosovën t’i investojmë në projekte tjera të energjisë, të cilat e dimë se kanë risk më të vogël, duhet të ndodhin dhe se nuk kemi dyshime që do të na ndihmojnë në rrugën tonë drejt dekarbonizimit”, thekson ajo, transmeton Telegrafi.
Rizvanolli shprehet se projekti i financuar nga MCC-ja nuk ka planifikuar ta ndërtoj gazsjellësin, por se të realizohet nëpërmjet një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
“Projekti i financuar nga MCC-ja nuk ka planifikuar që ta ndërtoj gazsjellësin. Gazsjellësi si tillë ka qenë i planifikuar të ndërtohet me kredi nga shteti i marr nga BERZH-i dhe 20 për qind grante dhe ky opsion ende ekziston dhe do ta shqyrtojmë në kuadër të strategjisë për energji. Do ta marrim një vendim të tillë deri në momentin që jemi të bindur që është opsioni më i mirë për Kosovën”, shprehet Rizvanolli.
Ajo thekson se mundësia për ndërtimin e gazsjellësit ende ekziston dhe se kjo varet nga analizat për qëndrueshmërinë ekonomike të projektit.
“Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit ende ekziston dhe ai mund të ndodh ose jo, varësisht nga analizat tona në vijim, ku do të shohim se a është ekonomikisht i qëndrueshëm. Një informatë shumë më rëndësi kur na ka munguar në këtë moment kur është dashur të marrim vendim ose jo, ka qenë se çfarë ndikimi do të ketë në çmimin e prodhimit të energjisë dhe për konsumatorët. Me nivelin e zhvillimit dhe varfërisë që e kemi, ne nuk e kemi luksin e shteteve më të zhvilluara që të hyjmë në projekte pa i pasur këto informata”, vë në theks ajo.
Duke folur për akuzat e kritikat e opozitës se refuzimi i projektit të financuar nga administrata amerikane, i hap rrugë sjelljes së gazit rus në Kosovë, e para e ekonomisë shpjegon se një projekt i tillë alternativ nuk ekziston dhe se kjo është një ide e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Jam e befasuar dhe nuk e kuptoj se nga ka ardhur kjo ide. Një projekt i tillë alternativ nuk ekziston. Cili projekt është ai që afron Kosovën me Rusinë apo me një shtet tjetër? Nuk ekziston një gjë e tillë dhe e vetmja herë ku unë kam dëgjuar për një gjë të tillë para deklarimit të zotëri Ramush Haradinaj është një deklaratë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që e ka thënë në një rrethinë të Novi Pazarit, cili ka thënë se do ta bëjmë një gazsjellës ku do ta lidhim dhe Kosovën. Mirëpo, a është një arsye që ne ta bëjmë këtë deklaratë pjesë e diskursit tonë publik? Kjo është një pyetje që nuk meriton përgjigje. Nuk ekziston një projekt i tillë alternativ që do të sillte gaz nga diku tjetër”, shpjegon ministrja Rizvanolli për Telegrafin.