Analisti Jusuf Thaçi ka reaguar pasi Radio Televizioni i Kosovës i ka paguar 472 mijë euro për pesë vjet një kompanie që nuk i ka ofruar shërbim.
Siç është thënë në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku ka raportuar edhe drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati, e gjithë kjo ka ndodhur shkaku i mungesës së një “R-je”, ku në vend të KRU “Pastrimi”, paratë i kanë shkuar kompanisë “Pastimi”.
Thaçi përmes një postimi në Facebook tha se nuk është e vërtetë se pagesa është bërë gabim për shkak të një shkronje por aty duhet të ketë qenë edhe numri i xhirollogarisë.
Ai tha se ky lloj justifikimi i mashtrimit e hajnisë është ofendues, përveçse krim.
Postimi i plotë:
Kjo është hajgare.
Për t’u ekzekutuar një pagesë duhet emri dhe numri i xhirollogarisë së përfituesit. Nëse këto dy të dhëna nuk përputhen, pagesa nuk ekzekutohet.
Kështu që nuk është e vërtetë që pagesa është bërë gabim për shkak të një shkronje në emrin e përfituesit, por aty duhet të ketë qenë edhe numri i xhirollogarisë së “përfituesit gabim”.
Ky lloj justifikimi i mashtrimit e hajnisë është ofendues, përveçse krim.