Zëvendëskryeministri i Rusisë, Alexahnder Novak, ka thënë se certifikimi i gazsjellësit “Nord Stream 2”, që po e pret dritën e gjelbër nga rregullatori në Gjermani, do të mund të ndikonte në uljen e çmimit të gazit në Evropë.
Çmimet janë rritur në masë të ndjeshme si rezultat i rritjes së kërkesës, sidomos nga Azia, ndërsa niveli i rezervave është i ulët.
Çmimi në një bursë evropiane të energjisë në nëntor është rritur pothuajse për tetëfish që nga fillimi i vitit dhe të mërkurën e arriti rekordin e të gjitha kohërave – 150 euro për megavatë orë.
“Mendoj se janë dy faktorë, të cilët disi do të mund ta qetësonin situatën. E para, natyrisht, është përfundimisht kompletimi i certifikimit dhe drita e gjelbër sa më e shpejtë për furnizimet me gaz përmes gazsjellësit të kompletuar, Nord Stream 2”, tha Novak gjatë një takimi të zyrtarëve qeveritarë dhe shefave të kompanive të energjisë.
Zyrtari i lartë rus shtoi se rritja e shitjeve të gazit në platformën elektronike të kompanisë “Gazprom” gjithashtu mund t’i qetësojë çmimet.
Gjatë takimit të zyrtarëve rusë, presidenti Vladimir Putin tha se Rusia ka qenë furnizuese e besueshme e Evropës me energji. Moska do t’i rrisë furnizimet për Evropën këtë vit, përfshirë shfrytëzimin e gazsjellësve që kalojnë nëpër territorin e Ukrainës.