Për gati dy javë sa ka nisur mësimi, nxënësit e shkollave fillore nuk janë furnizuar ende me libra. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë përgjegjëse drejtoritë komunale të arsimit për mungesën e teksteve shkollore. Ndërkaq Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se janë plotësuar kërkesat, por librat mungojnë pasi MASHTI s’ka dërguar sasinë e mjaftuar.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se komunat kanë plotësuar katalogun me kërkesa për furnizim me tekste shkollore brenda afatit prej 5 ditësh, që MASHTI ka kërkuar.
“MASHTI ka informuar komunat që nuk do të ketë furnizim me tekste këtë vit për nivelin parashkollor si dhe për klasat 6 deri 9. Për klasat 6 – 9 është kërkuar që tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë. Vetëm për klasën e 7 janë dy libra alternativë të rinj që do të sigurohen nga MASHT. Dhe për klasën e 8 janë libra të gjithë të rinj që MASHTI do t’i sigurojë. Nga Komunat është kërkuar që të plotësojnë katalogun me kërkesa për furnizime me tekste shkollore brenda afatit prej 5 ditë. Komunat kanë plotësuar kërkesat në katalogët e parapara të MASHT në afatin e paraparë kohor, dhe është raportuar numri i nxënësve në përputhshmëri me numrin e nxënësve të regjistruar në SMIA të MASHTI. Kurse te furnizimi me tekste shkollore për klasat 6-9 Komunat kanë formuar komisionet e duhura për pranimin e teksteve shkollore të dorëzuara nga MASHTI”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se librat mungojnë për shkak se MASHTI nuk ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nga komunat.
“Këto komisione kanë kryer punën në mënyrë shumë të mirë, mirëpo librat mungojnë, sepse MASHTI nuk ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna. Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa I përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni. Për përgjegjësitë e veta MASHTI nuk mund të fajësojë komunat”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ibrahimi po ashtu ka thënë se librat e përdorur nga gjenerata paraprake janë dëmtuar, por ka edhe raste që nxënësit nuk i kanë kthyer ato nëpër shkolla fare.
“Problemi qëndron në atë që librat e siguruar nga gjenerata paraprake ose janë të dëmtuar apo edhe nxënësit nuk i kanë kthyer në shkolla, që do të thotë mungon një numër i teksteve për klasat 6, 7, 9. Gjithashtu numri i nxënësve ndryshon nga viti në vit nëpër shkolla. Është hera e parë që tekstet për nxënësit parashkollor mungojnë. Pra, vetëm këtë vit po mungojnë tekstet e që nuk ka ndodhur më herët”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ndryshe, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci ka shkruar se ditëve të fundit ka pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore, andaj ka informuar se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha drejtoritë komunale të arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7, si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge.
“Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit administrativ, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak, andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor. Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Ju informoj se si ministri, nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara. Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, ka shkruar ajo duke inkurajuar shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit t’i kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor.
“Nëse ka pasur ndonjë mospërmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, ka shkruar ajo.
Viti i ri shkollor ka nisur me katër javë vonesë për shkak të shtyrjes si pasojë e numrit të lartë të rasteve me COVID-19. Gjatë korrikut Qeveria e Kosovës i ka ndarë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit katër milionë euro shtesë për blerjen e teksteve shkollore.