Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur gjykimi nda ish-krerëve të Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinajn, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Versioni i paredaktuar i aktakuzës është lexuar nga prokurori në seancë të mbyllur.
Seanca e sotme parasheh deklaratën hyrëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe leximin e të drejtave të të akuzuarve, që bëhet nga ana e trupit gjykues.
Derisa ka lexuar një pjesë të aktakuzës, prokurori ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë organizuar shpërndarjen e informacionit jo publik me qëllim të pengimit të punës së ZPS-së.
Gjatë zhvillimit të seancës, Hysni Gucati është deklaruar jo-fajtor për aktakuzën me të cilën ngarkohet në kuadër të Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale.
“I pafajshëm plotësisht”, tha shkurt ai, transmeton lajmi.net.
Kurse Nasim Haradinaj është deklaruar poashtu i pafajshëm lidhur me aktakuzën me të cilën ngarkohet nga Gjykata Speciale në Hagë.
Teksa është pyetur nëse e ka kuptuar plotësisht aktakuzën e cila është lexuar në drejtim të tij, ai tha se s’mund as ta kuptoj, por atë që u lexua e ka kuptuar.
“Unë s’mundem as ta kuptoj, por atë që e lexuat e kuptova”, deklaroi ai.
Ndryshe tashmë ZPS-ja ka publikuar të plotë aktakuzën ndaj Gucatit dhe Haradinajt në gjuhën shqipe.
Në aktakuzë thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-së, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë. Kjo sjellje tregon qartë synimin dhe motivin e tyre për të dëmtuar dhe penguar procedurat e DHS-së.
“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuzën e plotë mund ta gjeni këtu: https://repository.scp-ks.org/LW/Published/Filing/0b1ec6e980a208ed/Aktakuz%C3%AB%20me%20m%C3%AB%20pak%20redaktime.pdf?fbclid=IwAR16ljKSOg2w3QRN9jDDqnc7icdI15JOxz3Tbt9GEKS_6kPO33fjb37qfF8