Hulumtuesi nga Demokracy Plus, Emir Abrashi thotë se raportet e Kosovës me Amerikën nuk janë në periudhën më të mirë të mundshme.
Ai thekson se vizita disaditore e Presidentes dhe Ministres së Jashtme në territorin e SHBA dhe mosrealizimi i ndonjë takimi me zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk është sinjal i mirë.
“Që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti nuk kemi pasur ndonjë takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe SHBA-së. Ne nuk po shfrytëzojmë lidhjet historike që Kosova ka me Presidentin Biden. Biden ka qenë gjithmonë mbështetës i Kosovës dhe ka vizituar vendin tonë”, tha ai.
“Duket sikur ka një hezitim të SHBA-së për t’i pritur liderët tanë, pavarësisht se ka interesim nga liderët tonë. Ka insistim nga liderët tonë për të shkuar në SHBA dhe nuk kemi ndonjë përgjigje pozitive nga Uashingtoni, kjo nënkupton që nuk jemi në nivelin më të mirë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së”, shprehet Abrashi në RTV Dukagjini.
Tutje thotë se edhe refuzimi i Kosovës për projektet strategjike amerikane mund të jetë ndër faktorët e marrëdhënieve Kosovë-SHBA.“Ky refuzim i SHBA-së mund të jetë një sinjal se ata nuk pajtohen me qasjen që ka Kosova ndaj projekteve strategjike amerikane”.Hulumtuesi nga Demokracy Plus shton se Kosova pa mbështetjen e Amerikës nuk mund të arrijë sukses as në dialog.“BE nuk e ka fuqinë që të bëjë presion ndaj Serbisë ashtu si e ka SHBA-ja”, deklaroi Abrashi.