Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaShkollat pa libra, MASHTI fajëson drejtoritë e arsimit dhe u kërkon t’i...

Shkollat pa libra, MASHTI fajëson drejtoritë e arsimit dhe u kërkon t’i sigurojnë tekstet

Janë bërë gati dy javë prej kur ka nisur viti i ri shkollor dhe nxënësit ende nuk janë pajisur me të gjitha tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ani pse fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur me katër javë vonesë. Derisa nëpër shkolla flasin për vështirësitë që kanë, MASHTI thotë se tekstet janë shpërndarë në bazë të kërkesave të drejtorive të arsimit.

Me mungesë të teksteve shkollore po përballen më së shumti nxënësit e klasave të gjashta, shtata dhe të nënta, ku për këto klasë MASHTI ka shpërndarë vetëm tekstet alternative.

Shkollat po detyrohen që për këto klasë të përdorin librat e vjetër që janë përdorur nga nxënësit gjatë vitit të kaluar shkollor, e që gjendja e tyre nuk është shumë e mirë dhe shumica e librave të punës janë të plotësuara.

Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku, në Prishtinë, Visar Osmani, bënë të ditur se për klasat e nënta nuk kanë pranuar asnjë tekst shkollor nga ana e ministrisë, ndërsa për klasat e gjashta dhe të shtata vetëm tekstet alternative.

Ai thotë se për këto klasë po mundohen që të sigurojnë tekstet shkollore që janë kthyer nga nxënësit vitin e kaluar, e në rastet ku nuk arrijnë të furnizojnë të gjithë nxënësit, duhet që ato të blihen të reja nga prindërit.

“Për klasën e nëntë na kanë treguar zyrtarisht që nuk do të ketë sivjet, ndërsa për gjashtë, shtatë, tetë vetëm librat alternativ, ndërsa të tjerat mbetet që t’i sigurojmë me ato që i kanë rikthyer fëmijët dhe nëse nuk kemi në stoqe rezerva të bëjnë zgjidhje prindërit apo nxënësit të shkëmbejnë me shokët dhe shoqet e tyre nëpër shkolla të tjera. Do të thotë ne e kemi një kontingjent që kanë mbetur dhe e tregova për gjashtë, shtatë dhe tetë kanë sjellë vetëm librat alternativ, ndërsa të tjerat na mbetet që të bëjmë zgjidhje…Tash ato që janë, më mirë ato sesa fare, ka që janë të shënuara, shembull fletorët e punës, por sido që të jetë më mirë që janë ato, nuk janë shumë të dëmtuara, kanë pasur fëmijët kujdes dhe duhet t’i përdorim prapë edhe këtë vit. Mendoj që nuk ka qenë zgjidhje e mirë, por jemi obliguar”, thotë ai.

Për klasat e gjashta në këtë shkollë po mungon edhe libri i “Gjuhës shqipe”, e që arsimtarja e kësaj lënde Zarife Bajgora-Godanci, thotë se është shumë e vështirë për të zhvilluar mësimin kur nxënësit nuk e kanë librin para vetës.

“Vitin a kaluar kam qenë ligjëruese tek klasat e nënta, qysh atëherë ka qenë mungesa e tekstit për ‘Gjuhë shqipe’, kemi pasur vetëm librin ‘Gjuhë shqipe’, kurse librin e ‘Letërsisë’ nxënësit janë detyruar ta sigurojnë vet, njëjtë po përcillet edhe këtë vit kjo mungesë. Më së shumti ndërgjegjja duhet të na brejë tek klasat e gjashta, duke e pasur parasysh se ata kanë ardhur nga cikli i ulët dhe momentin që i mungon libri atëherë edhe ju hiqet dëshira për mësim. Jemi munduar me stafin e shkollës t’iu sigurojmë nga nxënësit nga vitet e kaluara, mirëpo duke pasur parasysh se e kemi librin bazë dhe librin fletore pune, libri fletore pune është i shkruar, janë plotësuar nga viti i kaluar, prandaj pak ka pak rënie të interesimit. Mirëpo shpresojmë që ditëve në vijim të sigurohen, në të kundërtën duhet prindërit ata të cilët mbeten pa sigurim të teksteve t’i sigurojnë. Mungesa është edhe tek klasat e gjashta, shtata dhe të nënta, vetëm tek klasa e tetë ka ardhur libri për ‘Gjuhë dhe letërsi shqipe’”, thotë ajo.

Janë nxënësit e klasës së gjashtë në shkollën fillore “Emin Duraku”, që thonë se po kanë vështirësi për të mësuar në ato lëndët që kanë mungesë të librave.

Nxënësja e klasës së gjashtë, Ema Slivova, thotë se do të mund të kuptonin më mirë mësimet nëse do ta kishin librin para vetës.

“Kemi pak vështirësi se nuk po mundemi t’i kuptojmë mirë mësimet, nuk po mundemi me i kuptu mirë gjërat që jemi duke i fol pa e pas librin me e shiku edhe ne vet”, thotë ajo.

Edhe nxënësi tjetër i kësaj klase, Eron Majaci, thotë se nuk po arrijnë të përfundojnë detyrat e shtëpisë për shkak të mungesës së librave.

“Është vështirë sepse nuk mund të kuptojmë shumë gjëra…Për të mësuar dhe për të bërë detyrat e shtëpisë”, thotë ai.

Ndërkohë, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci ka shkruar se ditëve të fundit ka pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore, andaj ka informuar se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha drejtoritë komunale të arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7, si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge.

“Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit administrativ, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak, andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor. Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Ju informoj se si ministri, nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara. Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, ka shkruar ajo duke inkurajuar shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit t’i kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor.

“Nëse ka pasur ndonjë mospërmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, ka shkruar ajo.

Viti i ri shkollor ka nisur me katër javë vonesë për shkak të shtyrjes si pasojë e numrit të lartë të rasteve me COVID-19. Gjatë korrikut Qeveria e Kosovës i ka ndarë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit katër milionë euro shtesë për blerjen e teksteve shkollore.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments