Rusia të mërkurën raportoi 929 viktima të sëmundjes Covid-19 për 24 orë, shifër rekorde që nga fillimi i pandemisë.
Ky shtet po përballet me shkallë të lartë infeksionesh, të shkaktuar nga përhapja e variantit Delta dhe shkalla e ulët e vaksinimit.
Ndryshe, Rusia ka shënuar rekord të shifrës ditore të viktimave të koronavirusit disa herë në javët e fundit.
Rusia dallohet për shkallën e ulët të vaksinimit. Më pak se 30 për qind e të rriturve në këtë shtet e kanë marrë vaksinën.
Një shtet tjetër, Polonia, ka shënuar rritje të numrit të infeksioneve për rreth 70 për qind vetëm për një javë. Zëvendësministri polak i Shëndetësisë tha se kjo është dritë e kuqe për vendin.