Rastet ditore të koronavirusit në Poloni janë rritur për rreth 70 për qind në javën e kaluar dhe kanë shkuar në mbi 2.000 në ditë. Një zëvendësministër polak paralajmëroi se këto të dhëna janë dritë e kuqe.
Shërbimi shëndetësor në Poloni ka qenë buzë kufijve në pranverë shkaku i valës së tretë të pandemisë, kur rastet ditore ishin mbi 35.000, por autoritetet besojnë se vaksinimet do të ndihmojnë për kontrollimin e numrit të infeksioneve këtë vjeshtë.
“Të dhënat e sotme janë një dritë e kuqe që sillet shpejt”, tha zëvendësministri polak i Shëndetësisë, Waldemar Kraska.
“Ky është momenti i fundit kur duhet të vaksinohemi, sepse vala e katërt përfundimisht është duke u përshpejtuar dhe kjo po ndodh në rajonet ku numri i personave të vaksinuar është më i ulëti”, shtoi ai.
Muajve të fundit, programi i vaksinimit në Poloni është ngadalësuar dhe shumë njerëz në rajonet lindore e jugore kanë vendosur që të mos vaksinohen.
Megjithatë, Kraska tha se qeveria nuk është duke planifikuar që t’i kthejë në fuqi kufizimet e gjera në jetën publike, të cilat janë marrë në fazat e mëhershme të pandemisë.
“Nuk planifikojmë ndonjë kufizim ndaj ekonomisë. Nëse e bëjmë këtë, do t’i saktësojmë, në nivel distriktesh, qytetesh”, tha ai.