Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian me udhëheqësit politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur sot në Bërdo të Sllovenisë. Ai para gazetarëve tha se Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një marrëveshje.
“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë dhe ne kemi nevojë për një marrëveshje”, tha Kurti, duke theksuar se “fondet evropiane nuk shkojnë pa vlerat evropiane”.
“Është një padrejtësi e madhe dhe mungesë e trajtimit të drejtë të qytetarëve që kjo nuk ka ndodhur ende”, tha kryeministri.
Ai po ashtu kujtoi se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa shprehu shpresën se ata do të bëjnë këtë së shpejti.
“Shpresoj që së shpejti ato 5 vende do t’i bashkohen vendeve që na kanë njohur”, u shpreh Kurti.
Bashkimi Evropian po përballet me një krizë besimi në Ballkanin Perëndimor pas mospërmbushjes së premtimeve të përsëritura për anëtarësim ndaj të tjerëve dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Udhëheqësit do të takohen sot në Slloveni në samitin BE-Ballkani Perëndimor për të diskutuar të ardhmen evropiane të gjashtë vendeve të këtij rajoni.
Brukseli është i vendosur të ri-angazhohet për zgjerim, por, deri më tani, pa afate të qarta. Sipas ish-ministres së Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusiq, tensionet e fundit në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë i kanë rrënjët në neglizhencën e BE-së.