Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Slloveni.
Kurti ka thënë se shpreson që ky samit do ta bëjë Bashkimin Evropian të qëndrojë në thelbin e saj e që është zgjerimi i saj.
“Kanë kaluar më shumë se 3 vite që kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin e vizave. Ka qenë një padrejtësi e madhe, mungesë e drejtësisë karshi qytetarëve tanë që kanë vuajtur shumë.
Ne kemi shpresë që ky samit, do ta bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saje ky është zgjerimi i saj, si projekti më i rëndësishëm politik dhe historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore. BE-ja duhet të vazhdojë me zgjerim që të jetë Evropë. Gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor janë ato që i mungojnë Bashkimit Evropian të bëhet Evropë. Ne jemi në Evropë, por Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.
Kurti ka thënë se janë 5 vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, dhe shpreson që së shpejti ato do ta bëjnë një gjë të tillë.
“Shpresoj që së shpejti ato 5 vende do ti bashkohen vendeve që na kanë njohur. Unë avokoj për mungesën e frikës nga BE-ja dhe hidhërimin nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se Kosova nuk ka pranuar asnjë vaksinë nga Rusia dhe Kina. “Ne nuk kemi marrë asnjë vaksinë nga Rusia dhe Kina, sepse Bashkimi Evropian është synimi ynë dhe Evropa është kontinenti jonë”, u shpreh Kurti.
Ai foli edhe për raportet Kosovë-Serbi, ku tha se duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë.