Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosova​Dëshmitari përmend edhe dy femra derisa flet për objektin në Zllashë ku...

​Dëshmitari përmend edhe dy femra derisa flet për objektin në Zllashë ku pretendon se është mbajtur

Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin e Salih Mustafës, ka thënë se në ndërtesën në të cilën pretendon se është mbajtur kanë qenë edhe dy femra. Dëshmitari ka thënë se ato nuk i kanë bërë pyetje por sipas tij sot vazhdon ta ketë një shenjë si pasojë e njërës nga femrat për të cilat ka thënë se ishin pjesë e grupit aty.

 

Gjatë seancës së sotme, dëshmitari i mbrojtur W01679 i është përgjigjur edhe pyetjeve të mbrojtjes së Salih Mustafës, avokatit Julios Von Bone.

Avokati Julios Von Bone: Një prej personave që e ke përmendur më herët ishte një femër, kjo femër edhe kjo qëndroi dhe fjeti në të njëjtën ndërtesë me ju?

Dëshmitari: Në të njëjtën ndërtesë ka ndejt, në tjera dhoma ku ta di unë por me ne një dhomë nuk ka ndejt.

Avokati Julios Von Bone: A të kujtohet përafërsisht sa femra kishte në atë shkollë, si rekrutë apo në cilësi të tjera?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet, për femra nuk më kujtohet, meshkuj kanë qenë shumë, për femra nuk më kujtohet dhe nuk kemi pasur kontakt me femra.

Avokati: A është e vërtetë që dy femra kanë marrë pjesë në marrjen në pyetje apo gjatë rrahjeve?

Dëshmitari: E di që kanë qenë dy femra aty, njëra bile sot për pasojë vuaj ende kam shenjë prej saj, por nuk na kanë marrë në pyetje ato, na kanë marrë në pyetje këta të tjerët, por ajo në atë rast ndodhi edhe e kam një shenjë prej një femrës aty.

Dëshmitari i ZPS-së, identiteti i të cilin nuk bëhet publik ka folur edhe për kohën gjatë qëndrimit në shkollën e Zllashit ku sipas tij për disa ditë kanë kryer stërvitje me qëllim që të bëhen pjesë e UÇK-së.

Stërvitjet ka thënë se i kanë udhëhequr Adem Shehu dhe Triumfi.

“Ke pas drunj, konopë për me u kap me hip në to, ke pas me shku zvarrë, ka pasur drunj me tela, ke shku zvarrë për me u zvarritë, ke pas drunj për me vrapu në ta, ke pas drunj për me bë ushtrime”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ndërsa avokati Von Bone e ka pyetur për personat të cilët dëshmitari pretendon se e kanë dërguar në objektin e mbajtjes në Zllashë.

Avokati Julios Von Bone: Personat me të cilët shkove në Zllash, ata që i përmende më herët, a e di se çka u ndodhi atyre, çka u bë me ta, çfarë detyrash u dhanë atyre?

Dëshmitari: Nuk e di çfarë detyrash u kanë dhënë, pasi jam liruar kur kam shkuar i kam takuar në shtëpi të vet ata më kanë thënë se pasi më kanë marrë mua edhe ata janë larguar prej aty kanë ikur, pas disa ditësh edhe ata ishin larguar, kishin ikë e kthyer në shtëpi të vet.

Sipas dëshmitarit, nga shkolla e deri të objekti ku pretendon se është mbajtur në Zllashë, kanë ecur rreth 20 minuta.

Avokati Julios Von Bone: Atë që ta vendosën në kokë a ta hoqën pastaj nga koka, kur ta hoqën të kujtohet seku ta kanë hequr?

Dëshmitari: Aty poshtë kur më morën më thanë se ka punë diçka komandanti me ty, ka me të pyet diçka, kur shkova aty ma hoqën.

Avokati Julios Von Bone: Në atë çast kur mbërrije aty, ja dije emrin atij komandantit?

Dëshmitari: Aty kur ka filluar me më pyet, aty e kam mësu, edhe e kam ditë që po shkoj me më pyet diçka një komandat, nuk kam ditë kush është komandant as çka, ata më kanë marrë më kanë thënë po të dërgojmë të komandanti ka me të pyet diçka dhe e kam ditë që jam drejtuar drejt atij njeriu e kam ditë që ai është komandant, që paska kërku me folë.

Avokati Julios Von Bone: Këtë komandantin a e përshkruan dot?

Dëshmitari: Nuk po di qysh me ta përshkru?

Avokati Julios Von Bone: Pse nuk e përshkruan dot?

Dëshmitari: Nuk po di qysh me ta përshkru, është i akuzuari yt, po e mbron ti, shumë thjeshtë ka mundur me qenë ndoshta pak më i dobët.

Avokati Julios Von Bone: Dua të kërkoj të na përshkruash personin të cili ne ke parë aty, këtë komandantin?

Dëshmitari: Po, komandanti kish qenë aty ulë, dhe i thanë të tjerët qe ta prunëm komandant këtë, e kish një jakne me lara, të ushtrisë ja nisi me më pyet për çka ke ardhur këtu, unë i tregova kam ardhur me u kyç në luftë me kontribu diçka, aj nisi me ato bërtitmat e veta, me ato sjelljet e veta, jo po rren, jo trego, jo të mbys, dhe u çu më goditi. Të tjerët e vetën çka me bë, tha mbyteni krejt.

Avokati Julios Von Bone: Çfarë ngjyre i kishte ato teshat që i kishte vesh?

Dëshmitari: Jaknen e ka pasur ngjyrë të ushtrisë, nuk ka qenë sikur ata me të zeza, ka qenë uniform tjetër, për tjerat nuk po mundem me ta shpjegu.

Sipas dëshmitarit, komandanti nuk ka qenë i pranishëm në secilën herë që atë e kanë rrahur.

“Kanë bërë pyetje, a je mendu me na tregu për çka ke ardhur këtu, tani pas një kohe më bënë edhe hajn, ma kthyen hajn, dhe çka kanë dashur, më thjeshtë çka kanë dashtë qysh ju ka konvenu kanë bërë hajgare me njerëz”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Pas pyetjeve të avokatit mbrojtës së Mustafës, dëshmitari i tretë do t’u përgjigjet pyetjeve shtesë nga prokuroria.

Salih Mustafa po merr pjesë në këtë seancë përmes video-lidhjes.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments