Afganistani do të fillojë që të lëshojë pasaporta, tha një zyrtar i lartë, disa muaj pas shtyrjeve që i penguan përpjekjet e atyre që u munduan të ikin nga vendi pas ardhjes në pushtet të talibanëve në gusht.
Zyrtari tha se qytetarëve do t’u lëshohen pasaporta fizikisht të njëjta me ato që janë lëshuar nga qeveria e kaluar, shkruan Reuters.
Alam Gul Haqqani, ushtrues detyre i Zyrës për Pasaporta, tha se do të lëshohen 5.000 deri 6.000 pasaporta në ditë, ndërsa për trajtimin e aplikacioneve të grave dhe vajzave do të angazhohen gra.
“Asnjë punëtor mashkull nuk ka të drejtë që ta kryejë punën biometrike ose punë tjera për pasaporta për një grua”, tha Haqqani para gazetarëve në Kabul, shkruan Reuters.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qari Sayeed Khosti, tha se 25.000 aplikues e kanë arritur fazën finale për të paguar për pasaporta, ndërsa në faza të mëhershme janë rreth 100.000 aplikues.
Jashtë Zyrës për Pasaporta në Kabul, një banore, e quajtur, Najia Aman, tha se ndihet e lehtësuar që kjo zyrë është hapur përsëri, sepse i nevojitet asaj dhe familjes së saj që të marrin dokumente për të udhëtuar jashtë vendit për trajtim mjekësor.
“Jam shumë e lumtur që Zyra e Pasaportave është rihapur. Kemi pasur shumë probleme dhe nuk mund të merrnim pasaporta për të shkuar në Pakistan për trajtim”, tha ajo.