Është paraqitur dëshmitari i tretë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, i cili do të dëgjohet në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa akuzohet për krime lufte.
Seancën e së hënës, Salih Mustafa po e ndjek përmes videolidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe dëshmitari i tretë, sikurse dy dëshmitarët tjerë, po i nënshtrohet masave mbrojtëse, si shtrembërimi i zërit dhe pamjes në mënyrë që të mbrohet identiteti i tij.
Dëshmitari i parë i mbrojtur, W03593, e filloi deklarimin e tij më 20 shtator dhe dëshmoi për katër ditë radhazi, deri më 23 shtator, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, dëshmitari i dytë i mbrojtur, W04600, ka dhënë dëshminë e tij për tre ditë radhazi, më 23, 24 dhe 27 shtator.
Ndryshe, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi