Gjetjet janë pjesë e një hetimi të kryer nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues.
Ato ekspozojnë marrëveshje të ndryshme financiare të rreth 35 udhëheqësve aktualë dhe të mëparshëm, si dhe të më shumë se 300 zyrtarëve, përfshirë: Mbretin e Jordanisë, presidentin e Rusisë, Ukrainës, Azerbajxhanit, Malit të Zi dhe kryeministrin e Republikës Çeke.
Dokumentet e emëruara si Letrat e Pandorës e lidhin presidentin rus, Vladimir Putin, me asete sekrete në Monako, ndërsa për kryeministrin çek, Andrej Babis, thonë se nuk ka deklaruar një kompani investimesh jashtë vendit, të cilën e ka përdorur për të blerë dy vila, në vlerë prej 16 milionë dollarësh, në jug të Francës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas Letrave të Pandorës, i ka transferuar aksionet e tij në një kompani sekrete jashtë vendit, pak kohë para se t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2019. Një zëdhënës i Zelenskyt nuk ka pranuar të komentojë për gjetjet.
Dokumentet gjithashtu tregojnë se Zelensky dhe rrethi i tij i ngushtë janë përfitues të një rrjeti të kompanive jashtë vendit, përfshirë disa që zotërojnë prona të shtrenjta në Londër.
Dokumente të tjera zbulojnë se si familja e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka blerë fshehurazi prona në Londër, në vlerë prej 700 milionë dollarësh, duke përdorur kompani jashtë vendit. Administrata e Aliyevit nuk u është përgjigjur kërkesave për komente, e as anëtarët e familjes së tij.
Sipas Letrave të Pandorës, Mbreti i Jordanisë, Abdullah, ka blerë fshehurazi prona në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA, me vlerë mbi 100 milionë dollarë. Por, avokatët e Mbretit kanë thënë se të gjitha pronat janë blerë me pasurinë e tij personale, të cilën ai e përdor për të financuar edhe projekte për qytetarët e Jordanisë.
Qendra hulumtuese malazeze Mans, e cila ka marrë pjesë në hulumtimet për Letrat e Pandorës, ka thënë se presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe djali i tij, Bllazho, kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë në vitin 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.
Kabineti i Gjukanoviqit ka thënë se publikimi i qendrës Mans është një tjetër “përpjekje për të diskredituar presidentin e Malit të Zi dhe familjen e tij”.
Në reagim thuhet se Gjukanoviq ka dhënë sqarime për aktivitetet e vitit 2012 dhe se pretendimet e organizatës Mans janë të pavërteta.
Në Serbi, organizata Krik, e cila po ashtu ka marrë pjesë në hetimet për Letrat e Pandorës, ka zbuluar se ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, është pronar i 24 apartamenteve luksoze në bregdetin bullgar.
Si pronar i dy kompanive nga Ishujt e Virgjër Britanikë, Malli ka blerë 23 apartamente, ndërsa një tjetër e ka blerë në emrin e tij, thuhet në dokumente.
Malli nuk i është përgjigjur thirrjes nga Krik për intervistë, ndërsa më herët ka mohuar se ka 24 apartamente në Bullgari.
Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues ka siguruar 11.9 milionë dosje konfidenciale nga 14 firma në të gjithë botën, që kanë krijuar kompani joaktive për klientët. Kompanitë e tilla përdoren kryesisht për manovra financiare.
Në hulumtimin, që cilësohet si më i madhi në historinë e gazetarisë, kanë marrë pjesë mbi 600 gazetarë nga 150 media.
Publikimi i Letrave të Pandorës vjen pesë vjet pas publikimit të Letrave të ngjashme të Panamasë.