Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaKurti javën e ardhshme në samitin në Slloveni, do të tentohet arritja...

Kurti javën e ardhshme në samitin në Slloveni, do të tentohet arritja e disa marrëveshje rajonale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme do të marrë pjesë në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Slloveni. Megjithëse në samitin e fundit në Berlin nuk u arrit asnjë marrëveshje, kësaj radhe edhe pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rajon do të tentohet sërish të nënshkruhet dakordimi i gjashtë shteteve rajonale për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave. Nga Qeveria e Kosovës thonë se në samitin e 6 tetorit do të mbështesin bashkëpunimin rajonal vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa opozita dhe shoqëria civile kërkojnë përfaqësim të barabartë të Kosovës në nismat rajonale.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress, se ekzekutivi veçse ka shprehur gatishmërinë për arritjen e dy marrëveshjeve, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese.

“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kësaj radhe do të mbahet në Slloveni. Në mbështesim bashkëpunim rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Tashmë kemi shprehur gatishmërinë tonë për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta dhe njohjen e diplomave, por gjithmonë mbi bazën e trajtimit të barabartë në mes vendeve nënshkruese dhe qytetarëve të saj”, thotë ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Iniciativat rajonale i përkrahin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por deputetja Time Kadrijaj thotë se duhet të ketë përfaqësim të barabartë ndërmjet gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo kërkon nga Qeveria që në gjitha këto nisma të theksohet padrejtësia që po i bëhet Kosovës me mungesën e liberalizimit të vizave.

“Ne si AAK nuk i kemi kundërshtuar asnjëherë nëse janë fonde që janë në përkrahje të ekonomisë së Kosovës. E keni pa se edhe tash si opozitë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, ne si Aleancë jemi zotuar se  do t’i përkrahim me votë në Kuvendin e Kosovës. Ajo çfarë duhet të kërkohet në këto nisma dhe çdo takim në Bruksel është që Kosova të trajtohet si vend i barabartë me të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por edhe të insistohet, sepse politikat e BE-së janë të duhet të integrohet tërësisht Ballkani Perëndimor dhe ata që janë në tavolinat e diskutimit duhet të  diskutojnë se ky nuk quhet integrim, derisa shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e BE-së, shumica po presin me marrë statusin e vendit anëtarë, derisa ne kemi ngel në fund si vendi i vetëm që nuk kemi liberalizim të vizave. Duhet ta përsërisë në çdo takim, çdo iniciativë se kjo është një padrejtësi që po i bëhet Kosovës”, thotë ai.

Më skeptik për arritjen e ndonjë marrëveshje në këtë samit është profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, i cili thotë se bashkëpunimi rajonal po mbetet peng i dialogut Kosovë-Serbi.

“Nuk besoj se do të ketë ndonjë arritje të madhe, mund të ketë një lëvizje të vogël, ide kreative të BE-së se si  të pozicionohet Kosova. Por duke njohur tash mentalitetin e Qeverisë Kurti nuk besoj se do të pranojnë  të nënshtrohen në çfarëdo varianti. Jam i bindur se nëse vazhdohet me këtë antagonizëm të të gjithë palëve, marrëveshjet mund të dështojnë….Bashkëpunimi rajonal në të ardhmen e afërt do të lidhet ngushtë me dialogun se çka do të prodhojë dialogu Kosovë-Serbi. Sa më shpejt që arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse i tërë rajoni do të konsolidohet”, deklaron ai.

Pengesë e arritjes së ndonjë marrëveshje për bashkëpunim rajonal në samitet e kaluara ka qenë kundërshtimi i Serbisë në referimin e Kosovës si shtet.

Në këtë samit pritet takim pritet të marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të rajonit: Bosnja-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia  e Veriut, (MV), Serbia dhe Shqipëria, ashtu edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Bashkimin Evropian

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments