Që nga data 31 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord dhe si rezultat ankesat e operatorëve ekonomik nuk mund të shqyrtohen. Qeveria e Kosovës e ka zvarritur emërimin e bordit të ri.
Të gjithë tenderët për të cilët ka ankesa janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e institucioneve deri sa të emërohet bordi i OSHP-së. Kjo po shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave.
Deri më 30 shtator janë dorëzuar 708 ankesa, shkruan lajmi.net.
Marrë parasysh ecurinë e shqyrtimit të ankesave, bordit të ri do t’i duhet rreth një vit që të shqyrtojë ankesat e vjetra që janë grumbulluar deri më tani.
Ardian Behra, rkyesues i Sekretariatit në OSHP tregon se ankesa të pa shqyrtuara në mungesë të bordit, janë 462 në vlerën totale nga vlera e parashikuar prej 162,249,187.18 euro.
“Gjithsej për periudhën janar 2021 deri me datën 30 shtator 2021 janë deponuar gjithsej 708 ankesa. Ankesa të shqyrtuara deri me këtë datë janë 243 në vlerën totale, nga vlera e parashikuar prej 60,958,077.06 euro. Ankesa të pa shqyrtuara në mungesë të bordit janë gjithsej 462 në vlerën totale, nga vlera e parashikuar prej 162,249,187.18 euro. Ankesa të shqyrtuara nga ekspertët për lëndvt e pashqyrtuara janë gjithsejte 460. Ekspertiza në favor të AK-së janë gjithsej 143. Ekspertiza në favor te OE-ve janë gjithsej 283. Ankesa për të cilat nuk është lëshuar ende ekspertiza janë gjithsej 34. Vlenë të theksohet se tek shuma e vlerës është llogaritur shuma nga “Vlera e Parashikuar” e aktiviteteve te prokurimit dhe në këtë shume hyjnë edhe vlerat e ankesave qe janë te përsëritura për aktivitetin e njëjte”, tha Beha në një përgjigje me shkrim.
Kompanitë që kanë garuar për të fituar një tender në institucionet publike, duke u shfaqur të pakënaqura me vendimet e institucioneve, kanë dërguar ankesë në OSHP. Kësisoj, ato projekte që janë hapur kanë ngecur për shkak që nuk ka kush të trajtojë ankesat, rrjedhimisht projektet do të mbesin të pezulluara derisa të mandatohet Bordi i OSHP-së, i cili do të bënte trajtimin e tyre
Projektet e bllokuara kanë të bëjnë më së shumti me investimet kapitale.
Dhjetë institucionet ndaj të cilave është ushtruar më së shumti ankesa nga 1 janari 2021 deri më 1 tetor janë: Korporata Energjetike e Kosovës me 50 ankesa, Komuna e Prizrenit 49 ankesa, Komuna e Prishtinës 44 ankesa, SHSKUK 36, Komuna e Gjakovës 28, Policia e Kosovës 22, Ministria e Infrastrukturës 21, QKUK 18 dhe Komuna e Suharekës 17 ankesa.
Që prej kohës kur ekziston OSHP, më së shumti ankesa ka pasur në vitin 2020, gjithsejtë 1196 sosh.
Megjithëkëtë, disa prej institucioneve kanë filluar të humbin durimin dhe po procedojnë më nënshkrimin e kontratave, si Komuna e Gjakovës, Vitisë dhe ajo e Mitrovicës. Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, por autoritetet kontraktuese mund të nënshkruajnë kontratat duke u bazuar në Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative.
Në muajin korrik, Qeveria e Kosovës ia ka dërguar kuvendit propozimin për kandidatët për kryetar dhe anëtarë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. E, në këtë garë janë 28 persona. Aktualisht, procesi ndodhet në verifikim të emrave.
Mejreme Memaj gjyqtare në Gjykatën Supreme, Nenad Llaziq, gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Hajriz Hoti, gjykatës në Gjykatën Themelore, janë ngarkuar nga Kuvendi për emërimin e kryetarit dhe 4 anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Kuvendit t’ia paraqes raportin me rekomandime.
Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013. Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.
Bordi i ri në atë kohë, me një konkluzion ka vendosur për mosshqyrtimin e ankesave që ishin mbledhur gjatë vitit 2013, me arsyen se ka kaluar afati për shqyrtimin e tyre.