Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të xhiros së tetë në Superligën e Kosovës.
Dy super ndeshje janë zhvilluar gjatë ditës së sotme, mes Ballkanit dhe Drenicës në Suharekës, dhe duelit tjetër mes Malishevës dhe Gjilanit.
Ballkani ka bërë një rikthim senazional në Suharekë, duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në 3-2, për të arritur një fitore jashtëzakonisht të madhe.
Pjesa e parë përfundoi me rezultat 1-0 për Drenicën, me anë të golit të Kreshnik Ukës në minutën e 25-të.
Uka sërish shkundi rrjetën e Ballkanit duke e dyfishuar epërsinë në minutën e 54-të të takimit.
Ballkani nuk u dorëzua dhe lansoi tri gola me radhë më pas. Fillimisht ishte mbrojtësi Astrit Thaqi i cili realizoi në minutën e 61-të, duke e kthyer në lojë Ballkanin për ta ngushtuar epërsinë.
Rezultati u barazua nga mbrojtësi tjetër, Rrustem Hoxha duke realizuar në minutën e 70-të të takimit, gjersa goli i fitores dhe i rikthimit të madh i Suharekasve u realizua po ashtu nga një mbrojtës tjetër, bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë, Armend Thaqi.
Në anën tjetër, në duelin tjetër mes Malishevës dhe Gjilanit, ndeshja është mbyllur me baazim 1-1.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, gjersa në të dytën të dyja skuadrat realizuan nga një gol.
Vendasin dolën të parët në epërsi nëpërmjet Olivier në minutën e 67-të, sidoqoftë mysafirët reaguan shpejtë duke e barazuar rezultatin përmes Gerhard Prognit pesë minuta më vonë, që njëherit ishte edhe goli i fundit i ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Ballkani tani pozicionohet si lider i tabelës me 16 pikë të mbledhura, duke e lënë të dytën Drenicën me aq pikë sa kishte para këtij takimi, gjersa skuadra e Ismet Munishit pozicionohet aktualisht e treta me 13 pikë të mbledhura, kurse e katërta Malisheva me 12 pikë.