Referuar zhvillimeve dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve, sot më 02 tetor 2021 në ditën e trembëdhjetë (13), pengesat/barrikadat e krijuara në të gjitha lokacionet kanë filluar të largohen nga vet personat të cilët i kanë vendosur ato dhe rrugët në drejtim të pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim.
Pas lirimit të rrugëve për qarkullim dhe largimit të pengesave, e personave të cilët në shenjë proteste kanë qëndruar në ato lokacione, njësitet speciale operative të Policisë së Kosovës kanë filluar lëvizjen e tyre nga pikat e vendosura drejt stacioneve policore.
“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, njofton policia.
Bazuar në marrëveshjen në fjalë njësitet e KFOR-it sipas mandatit të tyre, që në orët e mëngjesit janë angazhuar dhe vendosur në disa lokacione në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Vlen të potencohet se sot në orët e pasdites, Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti, vizituan stafin menaxhues dhe zyrtarët policorë në kampin Belvedere, të cilët ishin në detyrë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Vizita e realizuar ishte e karakterit mbështetës, falënderues dhe përkrahës ndaj të gjithë zyrtarëve policorë, të cilët me angazhimin e tyre dhe sjelljen profesionale, treguan dhe njëherit dëshmuan se Policia e Kosovës është një polici demokratike e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj.
Ministri z. Sveçla dhe drejtori z. Mehmeti, duke çmuar lartë punën e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, në zbatim të ligjit dhe vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, kërkuan nga të njëjtit që të vazhdojnë punën dhe detyrat e tyre policore në shërbim të vendit dhe qytetarëve në mënyrë profesionale, ashtu siç është dëshmuar gjatë këtyre trembëdhjetë (13) ditëve, duke mos rënë pre e asnjë provokimi të kryer në forma të ndryshme nga ana e protestuesve.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, e në veçanti për kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurt