Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se nga rrugët që çojnë këto dy pika nuk ka më kamiona të protestuesve dhe nga aty është larguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione.
Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.
Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.
Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka.
Deri në orën 08:00, njëra korsi e rrugës në Jarinjë ishte liruar nga protestuesit.
Më pas në orën 12:15 kanë nisi largimi edhe i kamionëve të mbetur.
Policia e Kosovës kërkoi që të largohet një mbishkrim në gjuhën serbe mbi një kamion, në të cilin thuhej: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave serbe”.
Serbët lokalë fillimisht kanë refuzuar largimin e mbishkrimit dhe janë dëgjuar duke brohoritur, “Serbia, Serbia”, mirëpo më vonë edhe ai kamion është larguar.
Çfarë parasheh Marrëveshja për shtensionim të situatës në veri?
- Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
- Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
- Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë shprehur të kënaqur me atë që kanë arritur delegacionet e tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të enjten, 30 shtator se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet, ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë po atë ditë se për shtetin e tij “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 1 tetor se Kosova është e gatshme të zbatojë marrëveshjen për targat.
“Kosova ka qenë e gatshme qysh moti. Kosova ka rreth 300 mijë stikersa (v.j. letra ngjitëse), kur po them 300 mijë stikersa po mendoj 300 mijë pako, për arsye se një pako i ka katër stikers, kaq sa nevojiten për secilën veturë për të mbuluar shenjat e shtetësisë dhe simbolet. Dhe këto mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtëmujor ndërkufitar. Edhe marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh, kështu që pala jonë është komplet e përgatitur”, ka thënë ai.
SHBA e BE mirëpritën marrëveshjen për shtensionim të situatës
I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe ka thënë të enjten se arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.
“Lajm i mirë nga Brukseli – një shembull sesi riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter, më 30 shtator.
Ndërsa zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, i cili njëherësh është i dërguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni është befasuar me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.
“Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, ka thënë ai duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.
“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Borrell.
Zëdhënësja e NATO-s, ka thënë Oana Lungescu se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, “do të luajë rol themelor, për të siguruar zbatimin efektiv” të marrëveshjes.
Disa punonjës në institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë në Kosovë, kanë konfirmuar ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se ata janë “të detyruar” që me radhë të marrin pjesë në bllokimin e pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata kanë deklaruar se autoritetet lokale po u kërkojnë ta bëjnë këtë gjë, por kanë kërkuar që identiteti i tyre të mos zbulohet.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, kryetarët e komunave janë nga Lista Serbe, partia kryesore e formuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar më 2013.
Nga subjektet politike serbe, kjo parti është e vetmja e përfaqësuar në institucionet qendrore të Kosovës.