Kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq para gazetarëve në Jarinjë deklaroi se pret që deri në ora 16:00 të zhbllokohet rruga në atë pikë kufitare dhe të zhvillohet qarkullimi.
Sipas tij, në momentin që hiqet Njësia Speciale nga ato zona, do t’i heqin edhe ata makineritë e tyre.
“Ushtarët e KFOR-it kanë kërkuar që ne të lirojmë një korsi dhe ne e kemi bërë në mënyrë që ata të vijnë në lokacion ku do të vendosen në vend të njësisë speciale. E kemi bërë atë që është kërkuar. Në momentin që lëvizin njësitë speciale edhe makineritë hiqen. Kryesorja është të ruajmë paqen dhe të kthehemi në normalitet.
Në ora 12:10 ka filluar largimi i kamionëve dhe automjeteve tjera të cilat për 13 ditë kishin bllokuar rrugën për në kufirin e Jarinjes në drejtim të Serbisë, ndërsa ushtarët e KFOR-it po zëvendësojnë Njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
E gjithë kjo, si rezultat i arritjes së marrëveshjes të para dy ditëve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sipas së cilës KFOR-i do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Situata është e qetë dhe procesi po zhvillohet pa ndonjë incident deri tani.
Një helikopter i KFOR-it është parë në orët e paradites duke vëzhguar situatën herë pas here nga ajri.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës nuk kanë pranuar të lëvizin derisa të gjithë kamionët të mos kthehen dhe të zhbllokohet rruga në tërësi.