Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nxjerr një akt juridik për ndalimin e shfrytëzimit të hapësirës së brendshme të shkollave nga partitë politike për aktivitete të fushatës.
Kështu kanë bërë të ditur nga MASHTI në një përgjigje për Telegrafin.
Ata kanë thënë se po ashtu e kanë njoftuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se hapësirat e shkollës duhet të mbesin të sigurta.
“Përmes një shkrese, MASHTI e ka njoftuar KQZ-në se në tërë Republikën e Kosovës ka nisur viti i ri shkollor dhe se hapësirat e shkollës duhet të mbesin të sigurta dhe në shfrytëzim vetëm të procesit mësimor”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t .
Nga MASHTI kanë deklaruar se kjo është mënyra që do të ndihmonte në ruajtjen e shëndetit të fëmijëve dhe qëndrim të sigurt në shkolla.
“Me këtë rast, Ministria i ka kërkuar KQZ-së që konform Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, nenit 64 paragrafi 2 dhe Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës, neni 12, të nxjerr akt juridik për ndalimin e shfrytëzimit të hapësirës së brendshme të shkollave nga partitë politike për aktivitete të fushatës. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e shëndetit të fëmijëve dhe qëndrim të sigurt në shkolla”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, kanë reaguar pas informacioneve se parti politike kanë kërkuar të mbajnë tubime elektorale në hapësirat e brendshme të shkollave.