Publicisti Shkëlzen Gashi ka thënë se është e rëndësishme se si do të zhvillohet fushata mes kandidatëve për kryetarë të komunave këto dy javë.
Ai thotë se rol të madh, si pozitiv ose negativ, do të kenë udhëheqësit e partive dhe mbështetja e tyre që do të mund të japin gjatë fushatës.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme jo ajo çka bëjnë liderët partive politike, por çka bën kryeministri i Kosovës. Komunat që ai i përzgjedh të shkojë për të bërë fushatë ka me pasë ndikim në rezultat dhe mendoj që do të ketë kryetarë të subjekteve politike që mund t’i dëmtojnë kandidatët e tyre nëpër komuna. Kur e them këtë e kam në mendje kryetarin e partisë më të vogël parlamentare dhe mundësinë që ai t’i dëmtojë kandidatët e vet për shkak të dëmtimit të autoritetit ose të prestigjit të tij në shoqëri dhe sjelljet e tij dhe kritikave pa takt që ia bën pushtetit aktual”.
Gashi mendon se kryetari Ramush Haradinaj nëse nuk do të shkonte të bëjë fushatë në Gjakovë do të ishte më pozitive për kandidatin për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini.
Gjithashtu, ai tha se përzgjedhja e Vetëvendosjes për të kandiduar Mimoza Kusarin për kryetare të Gjakovës është zhgënjyese.
“Nëse Vetëvendosje do të kishte pasë një kandidat tjetër do të ishte një garë krejt tjetër. Mendoj që kandidatin e AAK-së për Gjakovë e penalizon përkatësia partiake kurse kandidaten e Vetëvendosjes e favorizon përkatësia partiake”.