Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaKurti: Qytetarët duan një shtet demokratik

Kurti: Qytetarët duan një shtet demokratik

Demokracia ka nevojë për qytetarë aktivë dhe të mirë informuar që marrin pjesë dhe angazhohen”. Kështu tha kryeministri Albin Kurti në takimin virtual të bordit të Aleancës Progresive (Progressive Alliance).

Ai theksoi domosdoshmërinë për arsimim të mirë dhe media të lira që kërkojnë të vërtetën, nxjerrin në pah korrupsionin dhe skandalet dhe mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e zgjedhur.

Kryeministri Kurti vuri theksin te dy çështjet më urgjente për qytetarët, të cilave u përgjigjet Programi Qeverisës: puna dhe drejtësia.

“Qytetarët duan një shtet demokratik që respekton dhe mbron të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, që funksionon bazuar në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe lirinë e fjalës. Ata duan një sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë që jep vërtetë drejtësi dhe një qeveri që punon për të gjithë, pavarësisht prejardhjes dhe të ardhurave,” tha ai.

Aleanca Progresive është një aleancë ndërkombëtare politike e partive dhe organizatave politike socialdemokrate dhe progresive.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në mbledhjen e bordit të Aleancës Progresive:

Të nderuar miq,

I nderuar Conny,

E nderuar znj. Iratxe García Pérez,

I nderuari z. Luis Abinader,

Së pari, më lejoni t’i përgëzoj socialdemokratët tanë në Gjermani dhe Norvegji për fitoret e tyre në zgjedhje. Është një mundësi e madhe për fuqizimin dhe promovimin e demokracisë sociale në të gjithë Evropën.

Faleminderit që më ftuat në këtë takim të Bordit të Aleancës Progresive.

Është mirë të jesh pjesë e kësaj familje. Për ne përbën njohje të luftës sonë të gjatë për demokraci, barazi dhe drejtësi sociale. Demokracia, liria, barazia, solidariteti, mirëqenia sociale dhe ndërkombëtarizimi nuk janë vetëm fjalë në letër, por ideale që na lidhin së bashku. Jemi pjesë e kësaj familje të madhe dhe progresive jo sepse mendojmë se është e mirë për imazhin tonë, por sepse besojmë në këto vlera.

Dua t’i paraqes shkurtimisht tri çështje. Së pari për lëvizjen tonë dhe qeverinë tonë të re, së dyti për gjendjen e demokracisë sonë dhe së treti për nevojën për paqe të qëndrueshme.

Siç mund ta dini disa prej jush, lëvizja jonë filloi në një kohë të vështirë, në një dhomë të vogël në Prishtinë, disa vjet pasi u lirova nga burgu i Serbisë. Ishim disa njerëz që, si shumë të tjerë, nuk ishin të kënaqur me status quo-në, rezultatet e luftës dhe drejtimin e vendit dhe ne donim t’i ndryshonim gjërat. Ne u angazhuam dhe protestuam, sepse donim që idetë tona dhe kauza jonë të dëgjoheshin. 15 vjet më vonë, pas shumë protestave dhe demonstratave, arrestimeve dhe zgjedhjeve, kur ndodhën kaq shumë procese që formësuan vendin tonë dhe ne, më në fund erdhëm në pushtet. Ishte data 6 tetor 2019, por për shkak të disa ngjarjeve fatkeqe, ajo qeveri ishte jetëshkurtër dhe u rrëzua në mes të pandemisë COVID-19, të cilën ne e menaxhuam jashtëzakonisht mirë. Por pastaj, këtë vit, në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne fituam me një fitore bindëse. Gara jonë ishte kundër atyre që udhëhoqën për dy dekada dhe përdorën para të korruptuara dhe institucione shtetërore për t’i bindur votuesit, përderisa ne garonim me idetë tona. Fitorja jonë më 14 shkurt tregon se ka fuqi në ide, se ka fuqi në të qenit i ndershëm dhe i denjë; në të qenit parimor dhe të udhëheqjes me shembull.

Tani ne jemi në qeveri dhe do të qeverisim me të njëjtat parime që avokuam kur ishim në opozitë sepse besojmë se demokracia nuk është e nevojshme vetëm për t’i fituar zgjedhjet, por edhe për të qeverisur; veçanërisht për të qeverisur.

Programi ynë u përgjigjet dy çështjeve më urgjente për qytetarët tanë: punësim dhe drejtësi.

Qytetarët duan një shtet demokratik që respekton dhe mbron të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, një shtet i cili funksionon bazuar në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe lirinë e fjalës. Ata duan një sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë që jep vërtet drejtësi dhe një qeveri që punon për të gjithë, pavarësisht prejardhjes dhe të ardhurave.

Vendi ynë është i ri, jo vetëm për sa i përket pavarësimit, por edhe për sa i përket popullsisë. Mosha mesatare është 30, 1/3 ose më shumë e qytetarëve tanë jetojnë në diasporë dhe ata vijnë rregullisht, dy herë në vit. Ata dërgojnë më shumë se një miliardë në remitenca dhe një miliardë të tjera në investime në shtëpi dhe prona të luajtshme dhe janë nxitësit kryesorë të investimeve të huaja direkte.

Besimi në institucionet tona kryesore nuk ka qenë kurrë më i lartë. Të tri institucionet që dolën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe unë si Kryeministër gëzojmë mbi 50% të besimit të qytetarëve. Si rezultat, tani më shumë qytetarë janë të gatshëm t’i paguajnë tatimet dhe faturat, gjë që ka rezultuar në të hyra më të larta buxhetore. Shumë prej tyre gjithashtu konkurrojnë për vende të punës dhe pozita të reja sepse e dinë që nuk ka parregullsi dhe vlerësimi është më i drejtë. Kjo tregon se ndryshimet demokratike kanë një efekt përhapës në të gjitha fushat e jetës dhe mund t’i fuqizojnë qytetarët dhe ta forcojnë demokracinë.

Ne po punojmë për reformimin e sistemit tonë arsimor. Ne duam të punojmë me investitorë vendor dhe ndërkombëtarë për të ofruar mundësi më të mira për kualifikimin e të rinjve dhe ta lidhim arsimin me ekonominë për ta zvogëluar papunësinë strukturore dhe për të krijuar një fuqi punëtore të aftë, si një mjet për ta rritur ekonominë dhe ta avancuar prosperitetin shoqëror.

Sfida sot nuk është vetëm sigurimi i arsimit cilësor, por edhe krijimi i kushteve të mira të jetesës në mënyrë që njerëzit të kenë një punë të mirë *dhe* gjithashtu të duan të krijojnë një familje këtu. Për shkak të ndërlidhshmërisë dhe digjitalizimit, bota po bëhet më e vogël dhe njerëzit sot kanë më shumë se kurrë liri dhe mundësi të zgjedhin se ku duan të jetojnë dhe kjo do të thotë që ne nuk kemi nevojë vetëm për arsim cilësor, por edhe për jetesë të cilësisë së lartë.

Çështja e dytë që dua ta theksoj është nevoja për promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë. Vitet e fundit kanë qenë sfiduese, por edhe shpresëdhënëse. Demokracia në të gjithë botën është nën kërcënim nga autokratët në rritje që keqpërdorin instrumentet e demokracisë, si zgjedhjet e lira dhe mediat e lira, për të përhapur kauza të rreme dhe informacione të rreme dhe për të paraqitur një realitet të shtrembëruar sepse i synojnë instinktet dhe impulset më të këqija të njerëzimit. Kjo nuk është diçka e re. Ne kemi qenë dëshmitarë të valëve dhe fushatave të tilla më parë, por ajo që është e re janë mjetet që i kanë në dispozicion, siç janë rrjetet sociale dhe paaftësia jonë për t’u bashkuar dhe për ta mbrojtur demokracinë.

Besoj se ne duhet të punojmë së bashku dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin jo vetëm për ta mbrojtur, por edhe për ta promovuar demokracinë. Fitorja jonë këtë vit ka treguar se njerëzit dinë ta bëjnë zgjedhjen e duhur dhe ta dallojnë të mirën nga e keqja, nëse jemi të gatshëm të luftojmë mjaftueshëm.

Ideja që qytetarët përmes mjeteve të demokracisë mund të zgjedhin dhe të zgjidhen në postin më të lartë është forca më e madhe e demokracisë, por është edhe pjesa më e cenueshme e saj. Historia na ka treguar se ne nuk mund të relaksohemi dhe ta marrim demokracinë si të mirëqenë, duke besuar se ajo funksionon më vete. Nuk do të funksionojë.

Demokracia ka nevojë për qytetarë aktivë dhe të informuar mirë, të cilët marrin pjesë dhe angazhohen. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për arsimim të mirë si dhe për media të lira që kërkojnë të vërtetën, nxjerrin në pah korrupsionin dhe skandalet dhe mbajnë përgjegjës përfaqësuesin e zgjedhur. Nëse vitet e fundit na kanë mësuar diçka, ajo është se liria e mediave nuk nënkupton lirinë për të përhapur lajme të rreme ose për të sjellë vazhdimisht fakte alternative që shtrembërojnë realitetin dhe mashtrojnë njerëzit. Në fakt, numri në rritje i autokracive në botë është gjithashtu për shkak se ato kanë një kontroll të fortë ndaj mediave ose i kontrollojnë ato plotësisht pasi të zgjidhen. Ne duhet të punojmë së bashku sepse nuk mund të fitojmë të izoluar dhe të vetmuar.

Çështja e tretë dhe e fundit që dua ta ngre ka të bëjë me demokracinë dhe paqen. Në Evropë, paqja e qëndrueshme ishte e mundur vetëm pas pranimit të përgjegjësisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe përqafimit të demokracisë së vërtetë. E ngre këtë çështje sepse besoj se çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, 22 vjet pas luftës, ekzistojnë vetëm sepse Serbia nuk ka marrë përgjegjësinë për luftërat e shkaktuara në vitet ’90 dhe sepse ata kurrë nuk janë demokratizuar me të vërtetë. Edhe sot e kësaj dite ata refuzojnë të pranojnë gjenocidin në Bosnjë edhe pas vendimit të GJND-së. Unë vërtet besoj se këto dy procese janë të lidhura – pranimi i përgjegjësisë dhe demokratizimi. Të jesh një demokrat i vërtetë do të thotë të besosh në barazinë e të gjitha qenieve njerëzore dhe t’i gjykosh të tjerët jo nga prejardhja dhe përkatësia etnike, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. Për sa kohë që Serbia udhëhiqet nga njerëz që refuzojnë të përballen me të kaluarën e tyre dhe vazhdojnë ta shohin etninë dhe fenë e tyre si superiore ndaj të tjerëve, paqja e vërtetë është ende larg që të arrihet.

Besoj se ne si progresistë kemi detyrim të qëndrojmë përballë autokratëve kudo që janë, dhe ta promovojmë në mënyrë aktive demokracinë, drejt një sistemi dhe shoqërie, institucionet politike të së cilës adresojnë pabarazinë sociale dhe ndryshimet klimatike si prioritetet kryesore.

Ju falënderoj për këtë mundësi dhe pres të kemi bashkëpunim edhe në të ardhmen.

Faleminderit!.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments