Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para përballjes së nesërme me Norvegjinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndonëse përballë do të kenë skuadrën favorite të grupit, Dardanet hyjnë në këtë takim pa frikë dhe me synim prë të dhënë më të mirën e tyre në fushën e gjelbër, e pse jo edhe të befasojnë me rezultat.
Për dallim nga ndeshja e parë kundër Shqipërisë (1:1), kur Kosova hyri me synim për fitore dhe me lojë sulmuese, kësaj radhe përzgjedhësja Afërdita Fazlija do të jetë e detyruar të ndryshojë skemën e lojës, duke i kushtuar më shumë vëmendje repartit defanzivë, marrë parasysh cilësitë e kombëtares norvegjeze, e cila para pak ditësh e mundi Armeninë me rezultat të lartë, 10:0.
Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë përzgjedhësja Fazlija në konferencën për media.
“Ne luajmë futboll të bukur dhe të hapur, por ndaj Norvegjisë duhet të luajmë lojë defanzive me sistemin, 5-4-1. Norvegjia ka përgatitje të mirë fizike, por edhe e qarkullon shumë mirë topin. Megjithatë, ne e kemi analizuar lojën e kundërshtarit dhe besoj se do të bëjmë paraqitje të mirë. Fitorja bindëse e tyre ndaj Armenisë nuk na tremb. Do të mundohemi që me lojë të disiplinuar ta neutralizojmë kundërshtarin”, ka thënë ndër të tjera Afërdita Fazlija. Ndërkaq, dy futbollistet Erëleta Mehmeti dhe Edona Kryeziu kanë thënë se kundër norvegjezeve do të japin maksimumin. “E kemi përcjellë ndeshjen e Norvegjisë. E dimë se ka ekip të fortë, por nuk i friksëohemi përballjes me këtë skuadër dhe jemi të përgatitura për të dhënë maksimumin për rezultat pozitiv”, u shpreh Mehmeti.
Në anën tjetër, Edona Kryeziu ka thënë se janë të vetëdijshme për cilësitë e kundërshtareve, por nuk hyjnë në fushë të dorëzuara.
“E njohim Norvegjinë, por ne do ta respektojmë veten dhe do të japim maksimumin për rezultat të mirë“.
Ndeshja Kosovë – Norvegji, zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 19:00 dhe i takon kualifikimeve për Botërorin e vitit 2023, që do të mbahet në Australi dhe Zelandën e Re.