Real Madridi arriti të regjistrojë fitoren e radhës mbrëmë ndaj Valencias, në një përfundim dramatik duke përmbysur gjithçka në fund të ndeshjes në Mestalla.
Dy golat brenda dy minutave të realizuara nga Vinicius Junior (86′) dhe Karim Benzema (88′), i dhanë madrilenëve një fitore të madhe në udhëtim ndaj Valencias.
Benzema po vazhdon formën e jashtëzakonshme të tij në këtë fillim të kampionatit, me një asistim dhe gol të radhës ndaj Valencias.
Francezi me këto numra të ‘frikshëm’ në këtë edicion të ri të La Ligas ka vendosur një rekord, pas të cilit vetëm Messi kishte arritur ta bënte në këtë shekull.
Karim Benzema është lojtari i parë që përfshihet në 11 gola pas pesë xhirove të para në kampionatin e La Ligas në shekullin 21 (gjashtë gola, pesë asiste), pas Lionel Messit i cili e kishte bërë në sezonin 2011/12 kur kishte qenë pjesëmarrës në 13 gola pas pesë xhirove të para (tetë gola dhe pesë asistime).
Formë senzacionale është duke treguar edhe i riu Vinicius Junior i cili tashmë ka pesë gola pas pesë xhirove të para në La Liga.
Vinicius tani ka realizuar pesë gola në pesë ndeshjet e fundit, aq sa kishte realizuar në 59 paraprake në ligë për Real Madridin.
Benzema (6) dhe Vinicius (5) po i prijnë garës aktualisht për golashënuesin më të mirë këtë sezon të La Ligas dhe duket se të dy do të jenë ‘instrumental’ për madrilenët këtë sezon, me Ancelottin si trajner më të ri që duket se do të nxjerrë më të mirën e tyre, veçanërisht për të riun Vinicius i cili po kritikohej për mungesën e shënimit të golave.