Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen më 29 shtator do të vizitojë Kosovën. Të njëjtën ditë do të vizitojë edhe Malin e Zi, ndërkohë që një ditë më herët, më 28 shtator, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në rrugëtimin e saj në rajon ajo më 30 shtator do të vizitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Von der Leyen në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian për “Gjendjen e Unionit” ka folur edhe për rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka për Bashkimin Evropian.
“Investimet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian”, ka thënë Von der Leyen. Ka përmendur edhe planet e BE-së për investime në rajon duke thënë se investimet e përgjithshme të BE-së përbëjnë 1/3 e bruto-prodhimit vendor të rajonit.
Gjatë debatit në parlamentin Evropian edhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anzhe Logar, vend që kryeson Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, ka folur për të njëjtën temë rreth zgjerimit dhe Ballkanit Perendimor, duke i quajtur si prioritet dhe duke paralajmëruar se kësaj teme do t’i kushtohet samiti i radhës i BE-së në fillim të tetorit në Slloveni.
Pikërisht në prag të këtij samiti do të zhvillohet edhe vizita e Von der Leyen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyn e ka paralajmëruar këtë vizitë si rast për të dërguar mesazhin për rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së.