Thursday, November 28, 2024
HomeBotaFesta e “bashkimit” teston simpatinë dhe tolerancën ndaj “Botës serbe”

Festa e “bashkimit” teston simpatinë dhe tolerancën ndaj “Botës serbe”

Për fqinjët e Serbisë, flamujt me ngjyrat kuq, kaltër dhe të bardhë, nuk janë të huaj, të cilët shihen jashtë disa shtëpive dhe institucioneve të udhëhequra nga serbët, apo edhe në marshe me ngjyresa politike e etnike në rajon.

 

Fundja, besohet se ekzistojnë rreth 1.3 milion serbë etnikë në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Të tria këto shtete ka mundësi që të shohin këta flamuj dhe shpërfaqje tjera publike të identitetit serb këtë javë, për të shënuar festën e shpallur vitin e kaluar nga Qeveria e Serbisë dhe Republika Sërpska – entiteti kryesisht serb, që bashkë me myslimanët dhe kroatët përbëjnë Bosnje-Hercegovinën.

“E mbështes këtë ditë dhe mendoj se nga kjo përfitojnë të gjithë, sidomos studentët, sepse tregon se ne duhet të jemi të bashkuar, të respektojmë bashkatdhetarët tanë në të gjitha shtetet”, ka thënë Rastko, student në Banja Llukë, kryeqytetin e Republika Sërpskas.

Ai citon tema historike qe janë “të përbashkëta për të gjithë ne në nivel kombëtar”, duke përmendur planet e mësuesit të tij për të ligjëruar për Frontin e Selanikut, të njohur edhe si Fronti Maqedonas.

Edhe në Kosovë, në komunat në veri, strukturat paralele komunale kanë vendosur flamuj serbë.

Rrëfimi mbi betejën e çlirimit më 1918 gjatë Luftës së Parë Botërorë qëndron mbrapa faktit se pse Beogradi dhe zyrtarët në Banja Llukë, kanë vendosur të festojnë Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve, çdo vit më 15 shtator.

Por, trashëgimia e përbashkët e një beteje shekullore që, u atribuohet forcave serbe, është më pak e vetëkuptueshme për disa banorë joserbë të Republikës Sërpska.

Bosnja është ende e ndarë – disa do të thoshin në mënyrë jofunksionale – nga struktura paralele qeverisëse të krijuara përgjatë linjave etnike të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve nga Marrëveshja e Dejtonit 25 vjet më parë, për t’iu dhënë fund tre vjetëve të konfliktit intensiv të përcjellë me ndarjen e ish-Jugosllavisë.

Studentët në Srebrenicë, skena ku kanë ndodhur disa prej mizorive më të rënda në Evropën e pasluftës, pasi trupat serbe të Bosnjës kanë masakruar më shumë se 8,000 boshnjakë, burra dhe djem më 1995, ankohen se ndonëse serbët duhet të lejohen të festojnë trashëgiminë e tyre, zyrtarë të republikës shmangin ngjarjet që janë të lidhura më ngusht me identitetin dhe historinë e boshnjakëve dhe kroatëve.

Një student, Alija, e quan ditën e bashkimit serb si përpjekje zyrtare për “ndarje, diskriminim dhe poshtërim të banorëve joserbë në Republikën Sërpska”.

Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se kjo festë duket si politikisht cinike dhe përpjekje në drejtim të gabuar nga Beogradi që synon të theksojë ndërtimin e kombit përtej kufinjve ekzistues, duke inkurajuar nocionin se identiteti kombëtar serb është duke u kërcënuar.

Një fushatë e tillë ka tronditur qeveritë fqinje dhe mund të kërcënojë narrativën e udhëheqësisë serbe të shtetit të saj si lidere politike dhe ekonomike në rajon, thonë analistët.

“Për mua, kjo është përpjekje për ta vënë në pah ndërtimin e kombit përtej kufijve të shtetit të Serbisë”, ka thënë Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, në Universitetin e Gracit, rreth festës së re serbe.

Ai e quan “manifestim simbolik” të Serbisë, ngurrimin e gjatë të Serbisë për të pranuar kufijtë e saj pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990.

Dhe kjo, sipas tij, ndodh në kohën e bisedimeve në rritje në Beograd për një “botë serbe” të re, për të cilën kritikët thonë se mbështjell ambiciet etno-nacionaliste të një “Serbie të Madhe”.

“Dilema” e Serbisë

“Çështja bazike, nëse jeni nacionalist, është si të krijoni marrëdhënie në mes të popullit brenda dhe atij jashtë shtetit”, ka thënë Eric Gordy, profesor në Shkollën për Studime Sllave dhe ato të Evropës Lindore në Kolegjin e Londrës.

“Dhe për këtë kemi diskutuar tash e gati 100 vjet”.

“Dilema e madhe politike” në Serbi – ku zemërimi sidomos në mesin e të rinjve ka ndikuar në një krizë demografike që ka zvogëluar popullsinë nën 7 milionë banorë – është se një numër i madh i serbëve nuk jetojnë në këtë shtet, thotë Gordy.

Kjo gjë nxit frikën evropiane për një rikthim të ndonjë lloj konflikti, sikurse ai që ka përfshirë rajonin në vitet 1990, duke vrarë të paktën 130,000 njerëz dhe zhvendosur miliona të tjerë.

Gordy dhe sondazhet e qëndrueshme sugjerojnë se nuk ekziston dëshirë për më shumë luftëra në Ballkan.

Mirëpo sikurse Rusia në shekullin XIX me thirrjet e saj ndaj pan-sllavizmit dhe qëndrimit të vazhdueshëm të udhëheqësve hungarezë si mbrojtës të hungarezëve etnikë jashtë vendit, Serbia duket se po “përpiqet të arrijë atë që ata u përpoqën të arrijnë me forcë (në vitet 1990) por në një mënyrë më të butë”, thotë Gordy.

Në atë kuptim, ai beson se festa e re serbe duket sikurse projektim i ndikimit ndërkohë “që promovohet ideja se identiteti kombëtar është në rrezik”.

Bashkimi i kujt?

Dita e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve është bashkëpunim në mes të Beogradit dhe Banja Llukës.

Fillimisht është organizuar në shtator të vitit të kaluar, nga lideri aktual i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, një nga anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnës, dhe një të shpalluri separatist, i cili sipas drejtorit të Qendrës për Rajonalizim në veri të Serbisë, “kalon më shumë kohë në Beograd sesa në Banja Llukë”.

Në Bosnje nuk ka pasur nevojë për të arritur pajtueshmëri për këtë festë në nivel kombëtar, pasi ky shtet nuk ka ligj të unifikuar për festat publike.

Një ditë më vonë, pas presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka kuptuar se festa nuk ka shkelur ligjet, Qeveria Serbe e ka ndjekur këtë rrugë dhe kështu është jetësuar festa e përbashkët.

Brenda një jave, ndërtesat publike dhe institucione të rëndësishme, si në Serbi, ashtu edhe në Republikën Sërpska, janë mbushur me flamuj serbë, teksa ceremonitë janë mbajtur dhe himnet janë dëgjuar për të shënuar festën.

Gjithmonë “fajtorë për diçka”

Këtë vit, dita e bashkimit të serbëve vjen teksa qeveritë rajonale bëjnë roje kundër ndërhyrjes së Beogradit.

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka humbur gjurmët në të dyja anët, duke zhgënjyer disa shtete të Ballkanit Perëndimor dhe duke duke gërryer një nga stimujt kryesorë për reforma të qëndrueshme demokratike dhe institucionale në rajon.

Regjistrimet e popullsisë janë shtyrë në Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, kryesisht për shkak të pengesave për regjistrim të saktë të pakicave etnike (Bosnja nuk pritet të regjistrojë popullsinë deri më 2023).

Përpjekjet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në krye të këtij procesi nga pala e Prishtinës.

Tensionet veçse janë rritur në mes të Beogradit dhe Podgoricës, kryeqytetit të vendit anëtar të NATO-s, Malit të Zi, ku një e treta e qytetarëve identifikohen si serbë.

Situata është përshkallëzuar javën e kaluar rreth ndikimit serb dhe shugurimit të klerikut më të lartë lokal të Kishës Ortodokse Serbe në një ish-kryeqytet malazez.

Vuçiq është detyruar të distancojë publikisht administratën e tij nga nocioni që është në kërkim, “Bota serbe”, që ka kërcënuar pavarësinë e Malit të Zi dhe Bosnjës.

“Sa për ‘Botën serbe’” ajo është frazë e përdorur nga (ministri i Brendshëm serb, Aleksandar) Vulin dhe nuk është pjesë e politikës zyrtare në shtetin e Serbisë”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media.

“Nuk e kam thënë kurrë atë”, ka thënë Vuçiq, dhe “nuk do të reagojë më ashpër, sepse nëse ai nuk do të thoshte ‘Bota serbe’” ju do të krijonit diçka tjetër vetëm që serbët që ishin fajtorë për diçka”.

Çka është “Bota serbe”?

“Bota serbe” është shprehje e popullarizuar nga historian serb i krahut të djathtë, Aleksandar Rakoviq, pak më shumë se një vit më parë.

Në gazetën Politika, në korrik të vitit 2020, Rakoviq ka sugjeruar se “Bota serbe” nënkupton bashkimin e Serbisë, Republikës Sërpska dhe Malit të Zi.

Kjo shprehje është përdorur shpejt nga ministri i Brendshëm serb, Vulin, politikan nacionalist serb.

Vulin e ka pranuar se rrethanat aktuale nuk lejojnë krijimin e një shteti të vetëm për të bashkuar të gjithë serbët, mirëpo ka parashikuar se kjo gjë do të ndodhë brenda dekadave.

“Nuk ka pasur diskutime për “Botën serbe” pesë vjetët e fundit apo për diçka të ngjashme”, ka thënë Bieber.

Ai e konsideron urgjencën e tij publike si pjesë të përpjekjeve të vazhdueshme, të cilat janë përshkallëzuar në muajt e fundit.

“Është rritje graduale, por sigurisht që është një zhvendosje dalluese nga vendi ku u pozicionua Serbia (më parë), dhe ka të bëjë shumë me faktin se integrimi në BE thjesht nuk është nxitës aq i fuqishëm më”, mendon Bieber.

Deri javën e kaluar, Vuçiq ka shmangur pyetjet për “Botën serbe”, pavarësisht thirrjeve të ministres së Jashtme të Bosnjës, Bisera Turkoviq dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për ta refuzuar atë.

Jeta Krasniqi, drejtore projektesh në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tonet etno-nacionaliste nënkuptojnë se “secili projekt i këtij lloji duhet të merret me seriozitet”.

Ajo ka thënë se pavarësisht distancimit të presidentit serb nga diskutimet për ‘Botën serbe”, Vulin vazhdon të jetë ministër kyç me një dekadë përvojë afër Vuçiqit.

Krasniqi, e cila ka marrë pjesë në takimin në mes të liderëve rajonalë dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, ka thënë se pavarësisht zbehjes së përpjekjeve për pranim “i përket BE-së të kundërshtojë këtë lloj retorike”.

Mjaft është mjaft

Por, në mungesë të karotës së BE-së për anëtarësim në të ardhmen e afërt, a do të dëgjojë Beogradi?

Gordy paralajmëron se shprehja e “Botës serbe” është pjesë e vazhdimësisë që përfshin vizionin e Serbisë së Madhe, apo përpjekjeve për të krijuar “sferë të ndikimit” në Ballkan.

Ai spekulon se opinioni publik serb ka mundësi të jetë “simpatizues i idesë” së “Botës serbe”, dhe nëse Vuçiqi ka menduar se mund të ketë sukses në promovimin e saj, atëherë ai mund të jetë “mbrapa saj tërë kohën”.

Ai paralajmëron se “fatkeqësisht gjëja e vetme që ndalon këto fushata është dështimi”.

Mirëpo Gordy beson se presioni nga jashtë vetëm do të rritet ndaj Vuçiqit për të pasur kujdes gjuhën dhe përmend sfidat për një vend si Serbia.

“Çfarë e bën të vështirë këtu është se ky (krijim i sferës së ndikimit) është diçka që fuqitë e mëdha e bëjnë sepse janë fuqi të mëdha. Serbia nuk është fuqi e madhe, andaj nuk do të mund të zbatojë atë pretendim në mënyrën e njëjtë”.

Bieber ka thënë se ky problem po përkeqësohet se “është duke u bërë më i fuqishëm në muajt e fundit.

Mirëpo pritjet për Vuçiqin dhe Beogradin janë të larta, thotë ai, marrë parasysh përpjekjet për ta paraqitur Serbinë si fuqi rajonale, në Ballkanin e ndryshuar shpejt.

Andaj pyetja kyçe është sesi Serbia vendos të zgjidhë “tensionin e vazhdueshëm” në mes të politikave që promovojnë marrëdhënie të mira me fqinjët, apo atyre që favorizojnë politikë etno-nacionaliste.

“Të pasurit e fqinjëve që kanë dobësi si – sovraniteti i Kosovës, natyra ndarëse e politikës së Bosnjës dhe ndasitë e mëdha politike në Mal të Zi – të gjitha këto e bëjnë më të lehtë për Serbinë që të promovojë këtë politikë (ento-nacionaliste)”, ka thënë Bieber.

“Mirëpo kjo gjë sërish është në kundërshtim me narrativën tjetër të Serbisë, si lidere në rajon, jo në aspektin etnik, por në atë ekonomik dhe politik, përtej mbështetjes për serbët”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments