Monday, November 25, 2024
HomeLajme“Kam bërë shumë gabim që se kam marr”, pacientët të penduar që...

“Kam bërë shumë gabim që se kam marr”, pacientët të penduar që nuk u vaksinuan me kohë

Magbule Kqiku nga Gjilani, që tri javë po përkujdeset për nënën e saj e cila është e shtirë në Spitalin e Gjilanit, në repartin ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Shtatëdhjetetetëvjeçarja e infektuar me koronavirus është e pavaksinuar dhe sëmundja e ka prekur rëndë shëndetin e saj.

Vajza e saj thotë se nuk ka munguar kujdesi i mjekëve e infermierëve, por përkujdesja nga familja ka qenë e domosdoshme.

“Paramendo, 24 orë, (nëna) ajo nuk e ka gjendjen të qëndrojë vet as pesë minuta. Vetë e kemi ushqyer, vetë e kemi çuar me karrocë, nganjëherë nuk ka as karroca të mjaftueshme, pasi ka pasur shumë pacientë më herët, tani ka më pak”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Frikën nga infektimi me koronavirus, Magbulja e ka të madhe, por ajo thotë se do të qëndrojë në spital, derisa nëna të lirohet.

Në Spitalin e Gjilanit, pacientët me COVID-19 po trajtohen në shtatë reparte. Më 13 shtator, kur ishte ekipi i Radios Evropa e Lirë, aty ishin të shtrirë afër 100 pacientë, prej tyre 74 në oksigjeno-terapi.

Shumë nga pacientët e shtrirë nuk mund të lëvizin apo të flasin.

Ata ndihen të lodhur. Gjithçka që mund të bëjnë është të qëndrojnë të shtrirë në shtrat.

Infermierë e mjekë shihen në shërbim të pacientëve, për aq sa ata mund t’iu dalin në ndihmë.

Ndërkohë, në përkujdesje të pacientëve, pothuajse te të gjithë janë edhe familjarët.

Të vaksinuarit, më lehtë me virusin

Xhylferije Shala po përkujdeset për burrin e saj i cili është i vaksinuar, por është infektuar me koronavirus.

Ajo mendon se burri i saj 75 vjeç mund të jetë infektuar gjatë një funerali ku ishin mbajtur edhe të pame.

“E dërguam ta bëjë testin, doli pozitiv. E sollëm në spital. Ka qenë i sëmur, por mbijetoi. Mos ta kishte pasur vaksinën, ndoshta do të ishte edhe më keq”, thotë ajo.

Më të rëndë, thotë se e pati gjendjen klinike Nurije Kryeziu, 67 vjeç e cila ka marrë vetëm dozën e parë të vaksinës. Ajo është e shtirë në spital që 10 ditë.

“Kam pasur temperaturë. Kam qenë keq e sëmurë. Tani jam më mirë”, tregon ajo.

Mjekët në spital tregojnë se numri më i madh i pacientëve të hospitalizuar janë të pavaksinuar, por ka edhe pacientë të vaksinuar, të cilët thonë se kanë një situatë stabile.

Mirvete Daku-Kurteshi, shefe e repartit të Klinikës Infektive, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i muajit gusht dhe në fillim të shatorit, janë përballur me një situatë të rëndë.

Aktualisht, ajo thotë se situata është më e qetë. Numri i pacientëve të shtrirë është në rënie.

“Unë mendoj që në Kosovë është dashur edhe kjo vala e fundit për t’u vetëdijesuar njerëzit, deri në këtë valë nuk kanë qenë të vetëdijesuar. Këtë e kuptuam edhe ne tani, pasi veç janë sëmurë dhe nuk kanë qenë të vaksinuar, e kanë marrë si hajgare se ‘nuk ka virus ose e kemi zënë në asgjë’, këto janë fjalët e pacientëve”, thotë ajo.

Të pavaksinuarit apelojnë për vaksinim

Pacientët e infektuar me koronavirus të cilët kanë manifestuar sëmundje të rëndë, thonë se janë penduar që nuk janë vaksinuar me kohë.

“Për vaksinë kam bërë shumë gabim që nuk e kam marr, duhet të mbajmë shumë higjienë, të kujdesemi që të mos kemi kontakte, për të mirën tonë”, thotë Vaxhide Rizahu, 60-vjeçare.

Pacientët e pavaksinuar, sipas mjekëve, kanë manifestuar sëmundje të rëndë dhe disa prej tyre kanë përfunduar edhe me vdekje.

Gjilani që nga fillimi i pandemisë me COVID-19, ka regjistruar 369 vdekje.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini thotë se numri më i madh i vdekjeve të pacientëve nga COVID-19, ka ndodhur në situata kur ka pasur fluks të madh të pacientëve.

“Në situata të tilla çdo ditë është e rëndë kur i ke përpara pacientët dhe nuk arrin të bësh atë që do të duhej të bëjmë, të shpëtojmë jetën e tyre”, thotë ai.

Spitali i Gjilanit ka në dispozicion 196 shtretër të përgatitur për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Kapacitetet spitalore deri më tani, sipas Eminit, kanë qenë të mjaftueshme për të trajtuar pacientët me COVID-19.

Kosova javëve të fundit po përballet me rritje të rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments