1 mijë e 879 qytetarë në Kosovë janë gjobitur përshkak që nuk respektuan masat antiCOVID-19 të ndërmarra nga qeveria.
Këtë e ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.
Masat për të parandaluar përhapjen e COVID-19 erdhën pas situatës së përkeqësuar nga ky virus, ku numri i vdekjeve dhe rasteve pozitive shënuan rritje.
Nga 30 gushti hyrën në fuqi masat antiCOVID-19. Për dy javë ishin në fuqi masat e ndërmarra, ndërkohë që të dielën, pra më 12 shtator qeveria mori vendim për masa të reja të cilat do të jenë në fuqi deri më 26 shtator.
Çdo person, i cili hyn në Kosovë, duhet të ketë me vete dëshminë e vaksinimit të plotë apo të njërës dozë apo testin RT-PCR negativ të bërë brenda 72 orëve. Ora policore vazhdon të jetë në fuqi nga 22:00-05:00, përveç në rastet emergjente.
Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor, pezullohet deri më 26 shtator, ndërsa gastronomia lejohet të zhvillojnë aktivitetin e saj nga ora 05:00-21:30.
Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Kosovës.
Këto janë të gjitha masat e reja të cilat hyjnë në fuqi nga sot:
A. [Zbatimi territorial]
Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;
2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.
Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:
4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tri orëve;
4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID[1]19;
4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë orëve;
4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;
4.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.
[Mbrojtja dhe siguria në punë]
Në institucionet publike dhe private, deri me datë 26 shtator 2021, vazhdohet obligimi që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial obligohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.
Punëdhënësit publikë dhe privatë obligohen që në bashkëpunim me punëtorët të përcaktojnë stafin esencial.
Punëdhënësit publikë dhe privatë udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit.
Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.
Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4
Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.
Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
14.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
14.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
14.3 Gjatë ngrënies apo pijes.
Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 15.
[Kufizimi i qarkullimit]
Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:
17.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
17.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
17.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
17.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;
17.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 19, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 17 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.
Dh. [Institucionet e arsimit]
Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.
Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021.
Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4., në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni sipas pikës 22, 23 dhe 24, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
[Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.
[Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në 20 persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime). Organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
28.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca sociale.
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon numrin prej 20 persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.
Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
Pavarësisht pikës 28 dhe 30, për koncerte dhe festivale vlen pika 34.
Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.
Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.
[Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]
Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gj. [Gastronomia]
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.
Ndalohet shërbimi në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë.