Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaA do të tërhiqen forcat amerikane edhe nga Kosova, flet kryeministri Kurti

A do të tërhiqen forcat amerikane edhe nga Kosova, flet kryeministri Kurti

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Afganistani, në vend ka pasur shumë debate rreth mundësisë që Amerika të largojë prezencën ushtarake edhe nga Kosova. Lidhur me këtë ka pasur mospajtime, meqë thuhej që Afganistani dhe Kosova s’janë raste të ngjashme.

Megjithatë një reagim i presidentit amerikan, Joe Biden, se largimi nga Afganistani nuk është vetëm për Afganistanin por edhe për përfundimin e një historie të ndërhyrjeve ushtarake për ribërjen e shteteve, ka ngjallur shumë pikëpyetje rreth asaj se çfarë po paralajmëron numri një i shtetit më të fuqishëm në botë.

Për këtë çështje në Al Jazeera ka folur kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“A do të tërhiqen trupat amerikane edhe nga Kosova?”, thuhet në pyetjen e mediumit.

Megjithatë kryeministri Kurti ka thënë se mendon që NATO nuk do të largohet nga Kosova. Ai shton se pas samitit të fundit të NATO-së në Bruksel është e sigurt që NATO do të qëndrojë në Ballkan përfshirë edhe Kosovën.

Ai tutje ka potencuar se rasti i Kosovës dhe Afganistanit nuk janë të ngjashëm, meqë Kosova edhe synon anëtarësimin në NATO.

Në këtë intervistë kreu i ekzekutivit ka deklaruar se Kosova po e forcon edhe ushtrinë e saj, teksa ka përmendur lëvizjet e ushtrisë serbe rreth kufijve të Kosovës.

“ Unë nuk mendoj që NATO do të largohet nga Kosova. Sepse NATO intervenoi këtu dhe misioni ishte shumë i qartë, për ta çliruar Kosovën, për të mos rënë përsëri në duart e Serbisë, shtet ky që është shumë i afërt me Rusinë. Dhe e dimë që një prej arsyeve kyçe pse NATO ekziston është rreziku nga Rusia. Dhe pas Samitit të fundit të NATO-së në Bruksel është e qartë që NATO në Ballkan përfshirë Kosovën është  këtu për të qëndruar. Në anën tjetër ne do të bashkohemi në NATO dhe Afganistani jo. Kosova do të futet në NATO. Prandaj janë dy situata të ndryshme. Ne gjithashtu po forcojmë ushtrinë tonë, sepse Serbia fatkeqësisht jo vetëm që s’po na njeh dhe s’po tregon pendesë për krimet e kaluara, por edhe kohë pas kohe grupon e rigrupon ushtrinë rreth kufijve tonë. Por ajo s’do të guxojë kurrë që të bëjë diçka të ngjashme që bënë në shekullin e kaluar”, ka thënë Kurti për Al Jazeera.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments