Blerim Vela, kryekëshilltari i presidentes Osmani që sulmoi mediat mbrëmë duke iu referuar si “të ish-regjimit Pronto” veç pse raportuan për tendencën e kryetares së shtetit për të shtyer zgjedhjet, ka një pasuri të majme në vlerë monetarë në llogaritë e tij bankare.
Mjafton një shikim në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për të parë shumën marramendëse të parave të gatshme që ai ka në konto.
Veç në një llogari, ai ka 100 mijë euro. Në një tjetër, ai ka saktësisht 164 mijë dollarë amerikanë.
Por kjo nuk është e tëra. Vela në një llogari tjetër bankare ka 11 mijë e 348 euro. Në një tjetër, ai ka 1 mijë e 336 funta.
Në total në euro, pasuria e tij e gatshme veç në para kalon shifrën e 250 mijë euro.
Vela është shef kabineti i presidentes Osmani që kur kjo mori detyrën si kryetare e shtetit.
Ai nuk kurseu fjalët mbrëmë për mediat, duke i quajtur “të ish-regjimit të Prontos” veç pse ato raportuan për një ftesë të Vjosa Osmanit bërë partive për t’u takuar e për t’i shtyrë zgjedhjet.
Megjithatë, kjo tendencë e Osmanit, sipas Velës, ësht veç rekomandim i IKSHPK-së, të cilën Kurti e kritikoi dhe ua la fajin për rritjen enorme të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.