Saturday, November 23, 2024
HomeEkonomiKomuniteti i biznesit: Qeveria Kurti ka buxhet, por po heziton të ndajë...

Komuniteti i biznesit: Qeveria Kurti ka buxhet, por po heziton të ndajë mjete

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se Qeveria ka mjete të mjaftueshme, mirëpo heziton t’i ndajë për biznese.

 

Shahini po vlerëson se Qeveria e vendit, po vonohet në marrjen e vendimeve që janë në të mirë të qytetarit e bizneseve.

Pasi që të gjitha masat në verë ishin të liruara, ai tha për Ekonomia Online se Qeveria këtë veprim e bëri për të ju hy në qejf diasporës.

Tutje, Shahini shprehet se në rast se do të ketë një mbyllje totale do të ishte e dëmshme për ekonominë e vendit duke e rënduar edhe më shumë ekonominë.

Ai të nevojshme po e sheh vetëdijesimin e qytetarëve për zbatimin e masave, por për këtë të kujdeset Qeveria.

“Qeveria e vendit, si zakonisht ngutet ose vonohet për të marr vendime të mira, për qytetarin, biznesin, ekonominë dhe vet Kosovën, dhe më së miri kjo është vërtetuar ku në mes të verës kur kishim një ardhje të madhe të diasporës u liruan të gjitha masat pa kusht dhe pa analizuar që infektimi me Covid do të rritet dhe ne nuk kemi kapacitet për ta menaxhuar atë, dhe kjo vetëm për të ju hyrë në hatër, klubeve të natës, dasmorëve dhe diasporës të cilët kanë qenë të mbyllur dy vite atje dhe kanë ardhur këtu dhe kanë bërë një jetë të shfrenuar të argëtimeve dhe kjo neve po na kushton, prandaj mbyllja sot do të ishte edhe më e dëmshme për ekonominë e vendit, do të ishte edhe më e rëndë për punëtorët dhe për të sëmurit dhe Qeveria duhet të merr një aksion për të rrit vetëdijen e qytetarëve për të respektuar masat mbrojtëse, për t’u vaksinuar por edhe duhet t’i mbështet të gjitha bizneset që nuk mund të qarkullojnë ose kanë vështirësi që të qarkullojnë”.

E për deklaratën e të parit të Qeverisë se nuk kanë mjete për t’i kompensuar bizneset në rast të një mbyllje totale, Shahini thotë se Kosova nuk qëndron aq keq me buxhet, pasi që të hyrat në Doganë dhe ATK-ja janë në rritje.

“Nuk është aq keq, përkundrazi të hyrat në Doganë dhe ATK janë në rritje, së paku për 30%, dhe kjo tregon që ne kemi mjete më shumë, kjo tregon që edhe shumë projekte infrastrukturore janë ndalë për shkak të auditimeve që është duke i bërë Qeveria, por këtu Qeveria heziton t’i mbështet bizneset dhe t’i shpërndan mjetet e buxhetit për bizneset dhe qytetarët e vet. Rreth 20 mijë të mbyllura kanë qenë vitin e kaluar, rreth 38 mijë biznese të cilat kanë kërkuar, në forma të ndryshme, qoftë në institucionet shtetërore, për t’u mbështetur”.

Sipas kreut të AKB-së, qeveritë më së paku kanë mbështetur biznesin e qytetarët gjatë kësaj kohe, duke krahasuar me vendet e tjera.

Ai thotë se në rast se nuk ka mjete atëherë hyrja në borxh është alternative e vetme.

“Mendoj që është kritikuar shumë Qeveria e kaluar që i ka mbështetur bizneset dhe kjo nuk do të veprojë si ajo, kurse ne mendojmë që qeveritë e vendit tonë më së paku e kanë mbështetur biznesin gjatë kohës së pandemisë, dhe pikërisht për këtë ne duhet të dimë, që nëse nuk kemi mjete duhet të hymë në borxhe”.

Ndërsa, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, thotë se vet Qeveria po deklaron se nuk ka mjete për t’i mbështetur bizneseve, e në këtë rast ai thekson se mbyllja është e papranueshme.

Sogojeva të vetmen mundësi për të dal nga kjo situatë po e sheh vaksinimin e popullatës.

“Vet Qeveria në deklarimet e veta ka thënë se nuk kemi pare për këtë pjesë, prandaj mbyllja totale është e papranueshme e  vetmja mundësi që mund të dalim për momentin nga kjo krizë është vaksinimi. Me pas mundësi që në çdo institucion mos të lejohen njerëzit që nuk e kanë marr vaksinën”.

“Duke marr parasysh krejt kjo që është duke u sill në Kosovë me këtë sasi të mjeteve që ka do të thotë unë nuk shoh zgjidhje dhe mbyllja është e papranueshme, dhe e vetmja është vaksinimi, ne kemi raste në Evropë që i kanë liruar masat sepse i ka vaksinuar, dhe në momentin kur vaksinohet popullata duhet me u lirua masat”, tha ai për EO.

Meqenëse javëve të fundit, është rritur edhe numri i të infektuarve dhe i të hospitalizuarve me Covid-19, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë me dije se nuk pritet lirim i masave pas 13 shtatorit, ku edhe përfundon afati i masave aktuale.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments