Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeRama: Refugjatët afganë mund të qëndrojnë në Shqipëri sa të duan

Rama: Refugjatët afganë mund të qëndrojnë në Shqipëri sa të duan

Në një intervistë për shërbimin afgan të Zërit të Amerikës, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s duhet të merrte “pjesën e saj të përgjegjësisë” për të mbrojtur shtetasit afganë që ndihen të rrezikuar nga regjimi taleban.

Zoti Rama i tha Zërit të Amerikës se refugjatët afganë mund të qëndrojnë në Shqipëri për aq kohë sa ata dëshirojnë.

Sipas zotit Rama, shtetasit afganë që ndodhen në Shqipëri do të marrin kujdes shëndetësor falas, ndërsa po hartohet dhe një plan për të krijuar një rrjet mësuesish të cilët do të jenë në gjendje të japin mësim për fëmijët e shtetasve afganë që po strehohen në Shqipëri.

Zoti Rama tha se qeveria që ai drejton nuk do të njohë qeverinë e re të talebanëve.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga talebanët. Autoritetet shqiptare u shprehën të gatshëm të strehonin deri në 4 mijë persona. Aktualisht, deri më tani, janë mbi 650 shtetas afganë që kanë mbërritur në Shqipëri.

Intervista e kryeministrit të Shqipërisë për shërbimin afgan të Zërit të Amerikës

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, faleminderit shumë për kohën tuaj. Shqipëria ishte një nga vendet e para që ofroi pritjen e refugjatëve afganë. Na tregoni pse?

Edi Rama: Sepse të tillë jemi. Ne kemi një histori shumë krenare. E kemi ndërtuar jetën tonë në këtë vend për breza të tërë bazuar në ligjin tonë të parë mbështetur në traditë, sipas së cilit shtëpia e shqiptarëve i përket Zotit dhe mikut. Ka një shpjegim të plotë të ritualit që kur dëgjon trokitjen në derë osenga cilido qoftë pas derës dhe në çfarëdo situate që ai, ajo ose ata janë: duhet ta hapësh derën dhe t’i ofrosh strehë udhëtarit që ka humbur ose ka nevojë për strehim; ose ka nevojë për ushqim. Pra, kjo është e para. E dyta është historia jonë. Gjyshërit tanë bënë diçka magjepsëse dhe falë tyre, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i fundit evropian që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para se të fillonte ajo. Dhe shumë hebrenj u shpëtuan. Për shkak se ne kemi myslimanë dhe të krishterë këtu, por pavarësisht se çfarë besimi i takonin, shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë. Po ashtu 30 vite më parë ne ishim si afganët. Pra, në atë kohë ne kërkonim ndihmë dhe trokisnim në dyert e të tjerëve për strehim. Tani është koha që të japim atë që kemi marrë. Dhe së fundmi, unë do të thoja që ua kemi borxh fëmijëve tanë. Fëmijët tanë duhet ta trashëgojnë këtë qëndrim dhe çdo brez duhet ta kultivojë atë kur të jepet rasti sepse, Zoti na faltë nëse ne bëhemi një vend i pasur cinik.

Zëri i Amerikës: Jam i sigurt që ju e keni parë kaosin dhe tragjedinë në aeroportin e Kabulit gjatë dy javëve të fundit të gushtit. Shumë besojnë se ishte rezultat i tërheqjes së nxituar të forcave amerikane dhe të NATO -s nga Afganistani. Çfarë mendoni për këtë?

Edi Rama: Siç thashë dhe dua të përsëris, me siguri ajo që ndodhi javët e fundit dhe ajo që bota pa drejtpërdrejt nga Kabuli, nga aeroporti, nga skenat e njerëzve të dëshpëruar që bien nga lart do të ngrejë absolutisht shumë pyetje, shumë pyetje për qytetërimin tonë, për botën tonë demokratike, për NATO-n, për të ardhmen e NATO-s dhe si duhet ta shohim dhe formojmë atë. Por nuk është koha për të hyrë në këtë bisedë derisa personi i fundit që ka nevojë të shpëtohet nga çfarëdo rreziku me të cilin mund të përballet në Afganistan. Ne duhet të kujdesemi për jetën e njerëzve dhe pastaj natyrisht diskutimi do të pasojë. Por nga ana tjetër, më duhet të them se është krejt hipokrite të fajësosh Shtetet e Bashkuara dhe administratën dhe thjesht të lash duart si “Pontius Pilate ”. Në fund të fundit ne kemi qenë aty së bashku. Natyrisht dhe tërheqja kishte problemet e saj dhe është e qartë, por së pari ne duhet të shpëtojmë jetën e njerëzve. Dhe faji për tërheqjen, keqmenaxhimi i tërheqjes, episodet dramatike të tërheqjes, nuk duhet të jenë alibi ose nuk duhet të jenë instrumente për të harruar misionin me të rëndësishëm: shpëtimin e njerëzve.

Zëri i Amerikës: Fola me disa afganë të evakuuar në Shqipëri. Shqetësimi i tyre kryesor është pasiguria që rrethon procesin e aplikimit të tyre. Një i evakuuar afgan, ndërsa falënderonte qeverinë tuaj për mikpritjen e ngrohtë, kishte një pyetje për ju: Në rast se procesi i aplikimit ose zhvendosjes së tyre zgjat muaj ose vite, a do t’u sigurojë qeveria shqiptare shërbime shëndetësore dhe mundësi arsimimi për fëmijët e tyre?

Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Është një pyetje shumë e drejtë. Para së gjithash, ata duhet të mos shqetësohen se saj muaj kalojnë. Nuk do të kalojnë muaj. Do të kalojnë më shumë se muaj, sepse sasia e aplikimeve dhe puna masive që duhet të bëhet nga Shtetet e Bashkuara për aq shumë njerëz që janë strehuar në vende të ndryshme në Evropë apo gjetkë, është shumë e madhe. Pra, do të kalojnë më shumë se disa muaj. Së dyti, ne kemi vendosur tashmë t’u ofrojmë atyre kujdes shëndetësor falas.

Shqetësimi për fëmijët është një shqetësim i zakonshëm. Ne po punojmë për të dalë me një plan, ne po punojmë që të jemi në gjendje të krijojmë një rrjet mësuesish sepse ne mund t’i vendosim ata menjëherë në shkollat tona. Por është në gjuhën shqipe mësimi dhe ne duhet disi t’u japim atyre njëfarë vazhdimësie që të kenë gjuhën e tyre dhe anglishten, kështu që ne po punojmë për këtë. Dhe ne nuk do t’i lejojmë ata të zvarriten në gjendjen ku ata kanë qenë për shumë muaj pa i dërguar ata fëmijë në shkollë, pa qenë në gjendje të shohin një të ardhme. Në të njëjtën kohë, do t’i ftoja të gjithë ata të mendojnë të integrohen teksa presin. Ata janë njerëz të shkëlqyer.

Zëri i Amerikës: SHBA mund të mos i marrë ata afganë që dështojnë në kontrollet e sigurisë, ose rastet e tyre refuzohen. Si do të sillet Shqipëria me një skenar të tillë? A jeni gati të pranoni ata afganë që nuk do të kenë ku të shkojnë, apo ka ndonjë zgjidhje alternative?

Edi Rama: Këtu janë në shtëpinë e tyre. Ata duhet të ndihen si në shtëpi këtu, dhe nëse duan të qëndrojnë, ata janë të mirëpritur. Ne kurrë nuk do t’u themi atyre të largohen nga vendi sepse nuk i plotësojnë kriteret. Ne kurrë nuk do t’u themi atyre se duhet të aplikojnë për një vizë në Shqipëri. Ne kemi vuajtur shumë nga regjimet e vizave dhe nuk do të jemi tani një vend i regjimit të vizave për ta, kështu që ata janë më se të mirëpritur të qëndrojnë.

Zëri i Amerikës: Cili është reagimi i Shqipërisë ndaj qeverisë së talebanëve në Afganistan? A do të njohë Shqipëria, si një vend që pret qindra, nëse jo mijëra, afganë, një qeveri të udhëhequr nga talebanët?

Edi Rama: Shqipëria kishte talebanët e saj. Ata nuk ishin talebanë islamikë. Ata ishin talebanët marksistë dhe leninistë. Dhe ne pamë që feja u bombardua. Ne pamë që Zoti u shpall i paligjshëm. Ne pamë bombardimin e kulturës sonë të shekullit të 20 -të. Ne pamë burgosjen e artistëve, të shkrimtarëve. Ne pamë një mungesë totale të lirisë së shprehjes. Ne pamë shtetëzimin e plotë të pronës private; gjera që i keni parë në atë vend. Ne nuk do të jemi pjesë e asnjë grupi që do ta njohë këtë regjim.

Më lejoni ta shtoj diçka. Po ashtu them se është e rëndësishme të ndërtosh komunikim, është e rëndësishme të flasësh me atë regjim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments