Që nga një janari e deri më 6 shtator të këtij viti, në Kosovë janë shënuar 1,353 persona të vdekur si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi.
Kështu bëhet e ditur në uebfaqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët kanë bërë një përllogaritje javore të rasteve dhe numrit të vdekjeve që prej fillimit të pandemisë e deri më tani.
Që në nisje të paraqitjes së rasteve të para, e deri të hënën, 2,718 persona kanë humbur betejën me koronavirus.
Ndërkaq, numri i rasteve që prej periudhës së fillimvitit e deri më 6 shtator ka shkuar në 101,787 raste të infektimit me Covid-19.
Numri total i të infektuarve nga kjo periudhë, sipas OBSH’së është 155,267 persona. Vetëm përgjatë këtij viti, 103,579 janë të regjistruar si të sëmurë me koronavirus.
Kosova rekordin e saj për kah numri i vdekjeve e ka shënuar përgjatë periudhës 9 gusht – 6 shtator. Vetëm përgjatë kësaj kohe, 448 persona kanë vdekur si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga virusi.
Ndërkaq, të premten vendi shënoi rekord të ri për kah numri i të vdekurve. Në raportin 24-orësh të Ministrisë së Shëndetësisë, u tha se janë regjistruar 30 viktima si pasojë e Covid-19. Një shifër e tillë nuk ishte raportuar më parë, që prej fillimit të pandemisë e deri më tash.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përgjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me krerët e komunave, të cilëve ua ka kumtuar lajmin se masat aktuale do vazhdojnë edhe pas 13 shtatorit.
Siç ka njoftuar kjo ministri gjatë ditës, vendi ka arritur t’i administrojë një milion vaksina.