Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në vazhdën e takimeve në terren, sot qëndroi në Mitrovicë, ku u takua me kandidatin për kryetar të komunës, Dr. Armend Agolli, kandidatët për asamble komunale si dhe me anëtarë e struktura të degës.
Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, tha se Mitrovica është keq, është në një situatë jo meritore, duke e konsideruar këtë si një padrejtësi të madhe që i është bërë “Qytetit të Minatorëve”.
“Kjo është padrejtësi e madhe ndaj Mitrovicës, ku keqqeverisja është shndërruar në një sëmundje të gjatë, e cila u instalua nga këta që po ikin dhe nga ata që ky pushtet i zëvendësoi”, tha Abdixhiku.
Më tej, ai tha se ka besim të plotë në doktorin, Armend Agolli, të cilin e vlerësoi si njeri me vlera të larta morale, atdhetare dhe profesionale, si dhe në kandidatët për asamble komunale nga radhët e LDK-së.
“Doktori, përveçse e njeh diagnozën e kësaj keqqeverisje, ai tashmë e ka të gatshme edhe terapinë për një qeverisje të mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, tha Abdixhiku.
Në fund të kësaj vizite, kryetari Abdixhiku i shoqëruar nga kandidati për kryetar komune, Dr.Armend Agolli bëri një shëtitje nëpër qytet, ku takoi edhe qytetarë të ndryshëm, të cilëve ndër të tjera iu tha se: duke dëgjuar me kujdes zërin tuaj, LDK-ja është në rrugë të mbarë për rikthim në pozitën e saj origjinale – si e para.