Në ceremoninë e varrimit të Ademajt morën pjesë familjarë, qytetarë e udhëheqës të PDK-së.
Familjarët thonë se janë të trishtuar dhe të mërzitur për atë çka ka ndodhur.
Djali i axhës së Astritit, Feim Ademaj ka thënë se sot kanë varrosur anëtarin më të mirë të familjes
“Të gjithë jemi të trishtuar, të mllefosur, të mërzitur tej mase. E varrosem sot anëtarin më të mirë të familjes, i cili la pas gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Kjo është ajo çfarë mund të themi për momentin”, tha ai.
Ai ka qenë i rezervuar, siç tha nuk kanë çfarë të thonë derisa drejtësia të merret me ndriçimin e rastit. Megjithëkëtë ai ka uruar që raste si këto të mos ndodhin asnjëherë.
“Drejtësia derisa të merret me ndriçimin e rastit për momentin nuk kemi çfarë të themi si familje. Apeli jonë është që lutemi që ky rast të jetë i fundit i kësaj natyre, i vrasjes së kësaj natyre. Faktikisht nuk kemi pasur nevojë të shkojmë deri tek kjo punë. Nuk i kemi pasur hile as hak askujt. Ne jemi vrarë në shtëpinë tonë. Nuk e di se qysh do i vjen fundi kësaj pune, por lutemi që të jetë rasti i fundit të kësaj natyre. Të vëlla-vrasjes mes vete”, ka shtuar ai.
Në ceremoni të varrimit ka marrë pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, Adem Grabovci, Blerta Deliu-Kodra dhe struktura të tjera të kësaj partie.
Nga ky incident ku mbeten të vrarë Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj mbeti i plagosur edhe vëllai i Astritit, Avniu. Ky i fundit po mbahet në ndalim 48 orësh me urdhër të prokurores së rastit.
Kujtojmë që vrasja e dyfishtë ndodhi në afërsi të shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, afër shtëpisë së Astritit.