Zgjedhjet parlamentare të këtij muaji në Rusi do të jenë më së paku të lira që kur Vladimir Putini erdhi në pushtet 21 vjet më parë, paralajmëruan udhëheqësit e opozitës dhe vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve.
Sondazhet sugjerojnë se vetëm 26% e rusëve janë të gatshëm të votojnë për Partinë në pushtet Rusia e Bashkuar në zgjedhjet parlamentare të 19 shtatorit, rezultati më i ulët i saj në anketa që nga viti 2008.
Megjithatë, pak kundërshtarë të Putinit kanë dyshime për fitoren e partisë Rusia e Bashkuar, falë manipulimit të votave, heshtjes së kritikëve të Putinit, ndalimit të kandidatëve të pavarur, frikësimit të votuesve dhe shpërndarjes së parave për votuesit.
“Ryshfeti për votuesit (blerja e votës), të gjitha llojet e manipulimeve, mobilizimi i burimeve administrative dhe persekutimi i kritikëve të regjimit, janë taktikat zgjedhore të Putinit dhe partisë së tij në 2021”, thotë Fyodor Krashennikov, një analist politik i opozitës.
Krashennikov kohët e fundit u largua nga Rusia, duke u bërë pjesë e një eksodi të figurave opozitare që thonë se ata janë në shënjestër të një vale të shtypjes së kundërshtarëve që çoi në mbylljen dhjetëra mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile pasi ato u caktuan si “agjentë të huaj” ose organizata ekstremiste. Kjo fushatë e autoriteteve në Kremlin u intensifikua para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
Alexei Navalny, kritiku më i njohur i Putinit, ndodhet në burg që nga janari nën akuzat e vjetra për evazion fiskal, të cilat ai dhe disa qeveri perëndimore i shohin si të motivuara politikisht. Organizata e tij politike mbarëkombëtare, e akuzuar nga Kremlini si ekstremiste, është shpërbërë. Kritikëve të tjerë të Putinit është ndaluar të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare, përfshirë ish-ligjvënësin Dmitry Gudkov, i cili u largua nga Rusia në qershor nga frika se do të përballej me akuza penale nëse nuk do ta braktiste vendin./voa