Shqipëria është hequr edhe zyrtarisht nga lista e vendeve të sigurta të Bashkimit Evropian, për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirus.
Një gjë e tillë nënkupton kufizime në udhëtime për qytetarët e këtij vendi.
“Ky (vendim) nuk paragjykon mundësinë që shtetet anëtare të heqin kufizimin e përkohshëm të udhëtimeve jothelbësore në BE për udhëtarët e vaksinuar plotësisht”, ka thënë përmes një deklarate BE-ja.
Përveç Shqipërisë, nga vendet e rajonit të Ballkanit, statusin e sigurt e ka humbur edhe Serbia, ashtu si edhe Azerbajxhani, Brunei, Japonia, Armenia dhe Uruguai.
Dy javë më herët, Bashkimi Evropian ka hequr nga lista e vendeve të sigurta, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Aktualisht në listën e vendeve të sigurta nga vendet e Ballkanit është vetëm Bosnje-Hercegovina.
Shteteve u jepet statusi i vendit të sigurt nëse regjistrojnë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.
Bashkimi Evropian përditëson çdo dy javë listën e vendeve që mund të konsiderohen të sigurta, varësisht situatës së tyre epidemiologjike.