Franca u ka dhënë shtetësi më shumë se 12.000 punëtorëve që ishin në vijën e parë të frontit në luftën kundër pandemisë, profesioni i të cilëve i kishte ekspozuar ndaj rrezikut për t’u infektuar. Dhurimi i shtetësisë për këta persona u bë përmes një procedure të përshpejtuar.
Përpos përshpejtimit të procesit të aplikimit, i cili normalisht merr deri në dy vjet, qeveria gjithashtu e zbuti kriterin e banimit nga pesë në dy vjet për këta persona, shkruan The Guardian,
“Punëtorët e vijës së parë iu përgjigjën thirrjes së kombit, prandaj është gjëja e duhur që kombi të bëjë një hap për ta. Vendi ia doli mbanë duke u falënderuar atyre”, tha ministrja e Shtetësisë, Marlene Schiappa.
“I mirëpres bashkatdhetarët tanë të rinj në shtetësinë franceze në emër të republikës. Edhe vendi i falënderon ata”, shtoi ministrja.
Në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Brendshme e Francës i ftoi ata që kanë kontribuuar aktivisht në luftën kundër pandemisë që të aplikojnë për marrjen e shtetësisë me procedurë të përshpejtuar. Të enjten, Schiappa tha se për këtë privilegj kanë aplikuar mbi 16.000 persona, ndërsa përgjigje pozitive kanë marrë 12.012 prej tyre.