Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaQeveria Kurti rrezikon të përfundojë në arbitrazh

Qeveria Kurti rrezikon të përfundojë në arbitrazh

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u ka dhënë një goditje të fortë investitorëve strategjikë të Kosovës.

Gazeta Infokus ka siguruar dokumente që dëshmojnë se dy projekte qindra milionëshe në fushën e energjisë dhe minierave, që kishin marrë statusin e ‘Investitorit Strategjik’ nga qeveria e kaluar dhe po prisnin të nisnin investimet në Kosovë, ka vendosur t’i kthejë në rivlerësim.

“Cicavica Wind Farm 1 L.L.C.”, projekt i kompanisë franceze “Akou Energy” që do të investonte mbi 100 milionë euro për prodhimin e energjisë së ripërtërishme nga era dhe “Moxico – Luma Kosovo Mining L.L.C”, që do të investonte mbi 45 milionë euro për nxjerrjen e pasurive nëntokësore nuk po shihen me interes nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti.

Të dyja këto projekte ishin paraparë të zhvilloheshin në komunën e Vushtrrisë.

Sipas një korrespodence mes ministres Hajdari me ministrave të kabinetit qeveritar- anëtarë të Komisionit për Investimet Strategjike, të cilën e ka siguruar Gazeta Infokus, shihet se të dyja këto projekte edhe pse kanë kaluar të gjitha fazat e vlerësimit dhe po prisnin dritën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës nuk do vazhdojnë tutje.

Kjo duket se do të ketë pasoja të mëdha financiare për shtetin dhe në imazhin karshi investitorëve të huaj.

Përfaqësuesit e kompanive nuk përjashtojnë mundësinë që rastin ta dërgojnë në arbitrazh dhe vendi të humbë miliona euro nga ky proces.

Megjithatë, janë në pritje të vendimit final të Qeverisë së Kosovës.

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta Infokus shihet se i tërë procesi është kthyer në rivlerësim me kërkesë të Zyrës së Kryeministrit, pa një vendim të qeverisë.

“Pasi tani konform konsultimeve me zyrën ligjore të ZKM-së ne jemi sqaruar dhe kemi marrë sqarime të mjaftueshme atëherë, pasi lënda rikthehet tek propozuesja (Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë) për rikonfirmim, ne duke e dijtë se ky investim ka të bëjë me tarifa nxitëse në energji dhe duke e pas të qartë se më nuk ka benifite të tilla për sektorin e energjisë, ne do të rikthejmë edhe njëherë lëndën për shqyrtim dhe vlerësim tek Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike”, thuhet në shkresën e ministres Rozeta Hajdari dërguar ministrave anëtar të Komisionit për Investimet Strategjike.

Pak a shumë i njëjtë është arsyetimi edhe për investitorin tjetër të projektit për nxjerrjen e pasurive nëntokësore, i cili thuhet se duhet të rivlerësohet për shkak të shumë ndikimeve që ka por që nuk specifikohen se cilat janë ato.

Ndërkohë ministrja i ka rekomanduar qeverisë që kompania “Kosmonte Foods” të marr statusin e investitorit Strategjik, pasi sipas saj pengesat që kjo kompani kishte në të kaluarën me Ministrinë e Bujqësisë janë tejkaluar.

Investitorët bëhen gati ta padisin Kosovën

Krejt kjo situatë ka irrituar investitorët që po prisnin të derdhnin milionat në Kosovë.

Arbnor Kastrati, drejtor regjional i “Cicavica Wind Farm 1 L.L.C”, ka treguar për Gazetën Infokus se që nga viti 2017 janë duke u endur zyrave të institucioneve për të përfituar statusin e Investitorit Strategjik.

Edhe pse thotë se janë ftuar vetë nga Qeveria e Kosovës për të investuar në vend, tani po u dalin pengesa të pa arsyeshme.

“Ne kemi ardhur në Kosovë me ftesë të Qeverisë së vendit, pasi është promovuar si ligj dhe mundësi e mirë për investime”, tregon Kastrati për Gazetën Infokus.

Tani, edhe pse zyrtarisht nuk ka marr njoftim se gjithçka është kthyer në pikën zero, tregon se ishte paralajmëruar për këtë nga ministrja Rozeta Hajdari.

Në takimin e fundit që ai kishte pasur me ministren Hajdari thotë se është diskutuar çështja e tarifave nxitëse.

“Ne kemi aplikuar me tarifa nxitëse dhe me të njëjtin aplikacion e kemi fituar statusin e Investitorit Strategjik dhe kemi pritur që Kuvendi ta aprovoi pasi e ka aprovuar Qeveria e Kosovës. Por, ministrja na ka njoftuar se nuk mund të përkrahin me tarifa nxitëse dhe ne kemi qenë të gatshëm të negociojmë pasi këtë e parasheh edhe ligji për investime strategjike”, thotë Kastrati.

Në takim me ministren sipas tij ka qenë edhe zëvendës ambasadori francez, pasi investitorët e këtij projekti janë nga ky shtet.

“Ministrja na ka thënë që të hiqet tarifa. Ne jemi të gatshëm që të heqim dorë nga tarifa por së paku të na ofrohet toka pasi që nuk i pengon askujt të vazhdojmë me investimin e paraparë”, pohon ai.

Por, tani edhe prona ku do të investohej thuhet se është në pikëpyetje.

Gjithçka varet se si do të vendosë përsëri komisioni.

Kjo po e shqetëson Kastratin dhe investitorët e kompanisë që ai drejton.

“Kemi thënë edhe viteve të kaluara se është mirë që ka një ligj për investime strategjike, por duhet të ndërtohet edhe një komunikim më i mirë me investitorët”.

Sipas tij, qasja e tillë ndaj atyre që mund të zhvillojnë projekte të rëndësishme po e dëmton imazhin e vendit dhe nuk është aspak pasqyrë e mirë për investitorët potencial.

Rasti i tij, thotë se ka dëshmuar që investitorët e huaj nuk trajtohen si duhet.

Prandaj edhe nuk përjashton as mundësinë që të padisin shtetin e Kosovës për dëmet që ia kanë shkaktuar.

“Ne do të presim një përgjigje zyrtare nga komisioni ndërministrorë për të parë se si të veprojmë në të ardhmen. Nëse është qëllimi i institucioneve që të kenë investime strategjike ne do të vazhdojmë, nëse jo ne do të shohim forma tjera të veprimit dhe nuk përjashtohet arbitrazhi”, thotë Kastrati.

Nëse shikohet ligji për Investimet Strategjike dhe Ligji për Investimet e huaja, sipas tij kushtet për arbitrazh janë plotësuar, shkruan Gazeta Infokus.

“Megjithatë, ne jemi kompani që dëshirojmë të realizojmë projekte dhe jo të përfitojmë nga situatat e tilla”.

Aktualisht kjo kompani ka investuar 1 milionë euro vetëm në përgatitje për të marrë statusin e investitorit strategjik në Kosovë dhe ka përgatitur kapacitetet për të bërë investimin e paraparë.

Por e tërë kjo mund të shkoj dëm nëse Qeveria e Kosovës vendos të mos ua njoh statusin e Investitorit Strategjik, të cilin e kishin fituar në fund të vitit të kaluar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments