Tre liderët e partive opozitare, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi, janë takuar sot.
Kujtojmë se këto ditë është përmendur mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, për shkak të situatës me COVID-19.
Një ide të tillë e ka dhënë kryekuvendari Glauk Konjufca, i cili në emisionin “dPt te Fidani” në T7, tha se po të pyetej ai, do t’i shtynte zgjedhjet, për shkak të numrit të madh të rasteve pozitive me koronavirus dhe vdekjeve.
Por, kjo ide e Konjufcës është kundërshtuar nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndryshe, tri partitë opozitare kanë kërkuar që fushata elektorale për zgjedhjet komunale të shkurtohet.
Kryetari i LDK-së, ka kërkuar që fushata të zgjasë vetëm 10 ditë, e për këtë iu ka dërguar letër edhe kreut të AAK-së dhe atij të PDK-së.
Haradinaj i është përgjigjur Abdixhikut, duke kërkuar që fushata zgjedhore të zgjasë vetëm 5 ditë. Ndërkaq Krasniqi nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje.
Zgjedhjet lokale parashihet të mbahen më 17 tetor të këtij viti.