Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për të parin e Prishtinës, Uran Ismaili, thotë se gjithë projektin e tij për kryeqytetin e ka fokusuar kah e ardhmja.
Ismaili deklaroi se Prishtina është vend që çdoherë ka krijuar trende e pikërisht për këtë garon që kryeqyteti të ketë një të ardhme më të mirë.
“Sot unë garoj për të ardhmen, Prishtina çdoherë ka garantuar potencial për Kosovën është bë diçka edhe është bë pak për të – por un nuk dua të merrem me të kaluarën dhe të fokusohem tek e ardhmja. Udhëheqjen time me Prishtinën e shoh bashkë me qytetarët për gjithë problemet e tyre”.
Ismaili mes tjerash tha se debati për kryeqytetin bashkë me kundërkandidatët është i domosdoshëm.
“Secili kandidatë po mundohet në formën e vet – kandidaturën time e shoh si zgjatim natyral të Prishtinës dhe mundësi që përvojën, shkollimin tim dhe pasionin për qeverisjen lokale ta fus në funksion”.
“Kam respekt për të gjithë kundër kandidatët por e shoh si një garë tejet të rëndësishme për gjithë qytetarët. Debatet janë të rëndësishme për problemet që ka Prishtina dhe diskutimi për të gjitha problemet bashkë me ta është shumë i domosdoshëm” tha Ismaili në Klan Kosova