Në Klinikën e Pediatrisë janë duke u trajtuar tre pacientë të prekur me Covid-19. Njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga Pediatria thonë se gjatë kësaj jave kanë një rënie të lehtë të rasteve me Covid-19 që kërkojnë hospitalizim por që vetëm gjatë muajit gusht mbi 50 fëmijë kanë kërkuar trajtim si pasoje e infektimit.
Një dy vjeçar i infektuar me Covid-19 është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është i intubuar në respirator në Klinikën e Pediatrisë derisa në të janë duke u trajtuar edhe dy fëmijë të tjerë të infektuar, njëri shtatë muajsh e tjetri 7-vjeçar në gjendje më të qëndrueshme.
Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë Violeta Graiqevci tha se fëmijët e shtrirë nuk kanë sëmundje tjera shoqëruese.
Infektimi i fëmijëve me Covid-19 po konfirmohet edhe në raportin e IKSHPK’së. Sipas raportit ditor në mesin e të infektuarve janë edhe 32 fëmijë të moshës nga 0 deri në 9 vjet dhe 82 të tjerë nga 10 deri në 19 vjet./RTK