Danimarka ka paralajmëruar për 11 shtator heqjen e të gjitha masave shtrënguese të koronës. Tani, pas Danimarkës edhe Suedia planifikon të heqë në masë të madhe kufizimet e saj për koronën.
Ministrja suedeze e Çështjeve Sociale Lena Hallengren ka thënë të martën se kufizimet e personave në aktivitete publike si koncerte, lojëra futbolli dhe në ahengje private do të hiqen më 29 shtator.Rekomandimi për të punuar nga shtëpia gjithashtu do të tërhiqet në këtë kuadër.
“Falë një fushate të suksesshme të vaksinimit, ne kemi bërë një rrugë të gjatë në trajtimin e pandemisë” është shprehur ministrja. Shoqëria suedeze është në një pozitë më të mirë. Tani janë kryesisht njerëz të pavaksinuar ata që sëmuren dhe duhet të trajtohen në spitale.
Të martën, 57 pacientë trajtoheshin në njësitë e kujdesit intensiv për shkak të infeksionit me Covid 19.
Në Suedi, rreth 82 përqind e popullsisë mbi moshën 16 vjeç tani ka marrë një dozë dhe 70 për qind, dy doza.
Drejtori i autoritetit shëndetësor, Johan Carlson, ka thënë me këtë rast se njerëzit e vaksinuar në parim mund të bëjnë jetë normale pas 29 shtatorit. Njerëzit e pavaksinuar janë ende në rrezik të sëmundjeve të rënda.