Shkencëtarët e Bashkimit Evropian thanë të martën se Evropa këtë vit e përjetoi verën më të nxehtë që është regjistruar ndonjëherë, ndonëse me temperaturë pak më të lartë se dy rekordet e kaluara për periudhën qershor – gusht.
Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike, “Copernicus”, tha se temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe në periudhën qershor – gusht ishte gati për 1 gradë mbi mesataren e shënuar në periudhën 1991 – 2020, duke e bërë atë më të lartën në tërë grumbullin e të dhënave. Dy verat më të nxehta më parë ishin shënuar më 2010 dhe 2018.
Temperatura mesatare e verës së vitit 2021 shënon një hap tjetër në trendin afatgjatë të ngrohjes globale, përderisa lirimi i gazrave po e ndryshon klimën e planetit tonë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në nivel global, programi “Copernicus” tha se gushti i këtij viti, bashkë me gushtin e vitit 2017, ishte i treti më i nxehti që është regjistruar ndonjëherë, me 0.3 gradë më i nxehtë se mesatarja e periudhës 1991 – 2020.
Gushti i këtij viti në Evropë u karakterizua me kushte kundërthënëse në pjesë të ndryshme të kontinentit, përfshirë temperatura maksimale rekorde në vendet e Mesdheut, temperatura më të larta se mesatarja në lindje dhe temperatura më të ulëta se mesatarja në veri.