Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me ambasadoren e re rezidente të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejqiq.
Në takimin e parë të zhvilluar, Kurti i ka uruar mirëseardhje ambasadores Benedejqiq, ndërsa kanë biseduar edhe për marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe për fushat në të cilat synojnë të forcojnë këto marrëdhënie.
Kurti ka falënderuar ambasadoren sllovene për pritjen që shteti i Sllovenisë i ka bërë atij gjatë Forumit Strategjik të Bledit dhe për takimet e bisedat që pati me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansha.
Njoftimi i plotë:
Në takimin e parë me ambasadoren e re rezidente të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejqiq, në të cilin kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje, u bisedua për marrëdhëniet shumë të mira në mes dy vendeve dhe për fushat në të cilat synojmë t’i forcojmë ato.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadoren Benedejqiq për pritjen që shteti slloven i bëri atij gjatë Forumit Strategjik të Bledit, dhe për takimet e bisedat që pati me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansha. Vendet tona kanë 20 marrëveshje bilaterale dhe disa të tjera që presim të finalizohen. Kjo flet për nivelin e lartë dhe të zhvilluar të marrëdhënieve në mes dy shteteve tona, tha ndër të tjera kryeministri në takim. Në këtë frymë, si qeveri do të angazhohemi edhe më shumë në arritjen e marrëveshjeve të tjera të dyanshme.
U bisedua për gjendjen e rënduar me pandeminë dhe zbatimin e masave të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së mëtejme të variantit Delta të virusit. Ambasadorja Benedejqiq e falënderoi kryeministrin Kurti për takimin dhe mikpritjen. Ajo e uroi për punën e Qeverisë gjatë këtyre 166 ditëve dhe vlerësoi lart përkushtimin e kryeministrit Kurti për reformat e ndërmarra në fushën e drejtësisë dhe të progresit ekonomik. Më tej, ajo theksoi se qëllimi i saj dhe shtetit që përfaqëson është që të forcojë marrëdhëniet bilaterale dhe të nxisë bashkëpunimin në fushat të ndryshme dhe me interes të përbashkët.